Bota
Ç’simbolizonte kapelja surprizë e Melania Trump
Sytë e Zonjës së Parë ishin pothuajse të padukshëm nën kapelën me strehë të gjerë që ajo mbante gjatë ceremonisë së betimit. Ishte thjesht një zgjedhje stili apo një strategji komunikimi?
Për ditën e madhe të rikthimit të bashkëshortit të saj Donald në Shtëpinë e Bardhë, Melania Trump zgjodhi – dhe si mund të ishte ndryshe – një pamje të menduar mirë, elegante, rigoroze dhe të përsosur. Por një detaj që habiti shumë njerëz shkaktoi ironi të madhe në rrjetet sociale: kapelja. Në të kaltër të errët, si palltoja e saj e qepur me porosi, me një strehë të gjerë dhe një shirit të bardhë që përputhej me jakën e bardhë që dilte nga manteli. Super shik, pa dyshim. Kapelja ishte dizajnuar nga stilisti amerikan i aksesorëve, Eric Javits.
Por pse të zgjidhte një kapelë kaq të madhe, që praktikisht i mbulonte sytë? Një zgjedhje vërtet e çuditshme për një ceremoni solemne ku ajo ishte një nga protagonistet kryesore.
Ndoshta kjo ishte pikërisht ajo që Melania synonte: të qëndronte në hije, të fshihte shikimin dhe të vendoste një distancë mes saj dhe të tjerëve (streha e kapelës ishte mjaft e gjerë), duke mos lejuar askënd të kuptonte dhe të vlerësonte emocionet e saj. Ose ndoshta donte të jepte një mesazh të qartë për stilin e saj si Zonjë e Parë në epokën e Trump II: do të ekspozohet sa më pak të jetë e mundur.
Stilisti, në një deklaratë për shtypin, sqaroi se misioni i tij në krijimin e kapeleve është të dizajnojë forma që nxjerrin në pah bukurinë e çdo lloj fytyre. Dhe në rastin e zonjës Trump, detyra ishte e lehtë: “Ka një strukturë të mrekullueshme kockore, bukuri dhe një ndjenjë të jashtëzakonshme të stilit.”
Një zgjedhje e qëlluar. Kapela u bë protagonistja e vërtetë e Ditës së Inaugurimit, që nga momenti kur ajo hyri në Kishën St. John deri te dreka pas betimit dhe fjalimit në Capitol Hill. Ajo nuk e hoqi kapelën kurrë (madje as në tryezë!): në fotot e betimit solemn mbi Bibël, ajo mezi duket; për ta puthur, bashkëshorti i saj u detyrua të kënaqej me një puthje të lehtë në faqe, nga distanca.
Madje edhe Joe Biden u detyrua të anashkalonte kapelën e Melania-s për të folur me Donaldin kur dy çiftet presidenciale u përshëndetën në shkallët e Capitol Hill.
Me pak fjalë, mburoja mbrojtëse që Melania ngriti mes saj dhe botës funksionoi në mënyrë perfekte – nëse ky ishte qëllimi i saj.
Një hap drejt modës amerikane?
Por ka edhe diçka tjetër. Kush e di nëse bota e modës amerikane do ta pranojë më në fund Melania Trump pas katër vitesh si Zonjë e Parë, kur ajo vazhdimisht preferoi shtëpitë evropiane të modës, si Dior apo Dolce & Gabbana, në vend të stilistëve amerikanë. Këtë herë, ajo zgjodhi një pamje tërësisht “Made in USA”: pallto e errët blu prej mëndafshi dhe leshi, fund blu dhe një këmishë prej mëndafshi të bardhë, të gjitha nga stilisti amerikan i pavarur Adam Lippes. Veshjet ishin amerikane, kapela ishte amerikane.
Dukej sikur Melania kishte për qëllim të paraqiste një imazh të rreptë dhe serioz, krejt ndryshe nga pamja e saj e katër viteve më parë: një fustan i kaltër prej kashmiri nga Dior dhe, e vetmja gjë amerikane, ishin dorezat e saj nga Ralph Lauren.
Natyrisht, mediat sociale nuk e lanë pa u tallur: Melania-Zorro, Melania-shtriga, Melania-mafiozja e viteve ’20. Por nuk mund t’u pëlqesh të gjithëve, dhe ajo e di këtë shumë mirë.
Siç shkruhej në një xhaketë që ajo kishte veshur vite më parë: “I really don’t care” – “Nuk më intereson.”
Nga Corrierre della sera