Kosova
Daçiç: Millosheviçi ishte simboli i zgjimit të popullit serb, s’do ta njohim kurrë Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka lavdëruar kryekriminelin serb i njohur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”, Slobodan Millosheviçin, duke quajtur atë si simbol i “zgjimit të popullit serb”.
Ndonëse Millosheviç u akuzua për krime lufte në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe në Kosovë, për Daçiç-in ai “mbetet shembull se si duhet mbrojtur vendi”.
“Ne besojmë se zgjidhja më e mirë për Serbinë është: Vuçiç-i president dhe unë kryeministër. Sepse kështu garantohet stabiliteti politik, zhvillimi ekonomik dhe social” – tha Daçiç, sipas të cilit, Partia Socialiste e Serbisë, garanton mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore.
“Qëndrimet tona janë të qarta: jo njohje e Kosovës, jo anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe vazhdim i politikës së tërheqjes së njohjeve” – Theksoi Ministri serb.
Daçiç ndër të tjera ka vlerësuar edhe se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, meqë sipas tij, Aleanca Veri – Atlantike ka kryer “agresion kriminal kundër Serbisë”, duke potencuar se “Serbia është për parimin e neutralitetit ushtarak”