Connect with us

Aktualitet

“Dajo dhe Djali i ri”/ Ernejt Shyti zbulon detaje nga vrasja e Behar Sofisë

Ditën e sotme po zhvillohet seanca për vrasjen e Behar Sofisë. Ernejt Shyti, 24-vjeçari që ndodhet në burg për vrasjen e ndodhur më 25 shkurt të vitit 2021 po dëshmon në gjyq. Sot ai ka identifikuar nofkat që përdornin në grup, e më konkretisht atë të Skënder Vathit dhe të Leonard Xhixhës.

Ai zbuloi se ditën e krimit nuk iu shkrep arma, e mbushi dhe pastaj e qëlloi dy herë.

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milionë lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllanë dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”.

Bujar Laze, ka treguar se dikush e ka mësuar bashkëpunëtorin e drejtësisë ta përmendi biçikletën dhe që sipas tij, Ernejt Shyti po e pranonte se nuk kishte njohje me Lezën. Seanca e radhës do të mbahet më 20 prill në orën 14:00, e të pandehurit: Skënder Vathi, Xhuljano Visha, Leonard Xhixha dhe Bujar Leza do të japin dëshmitë e tyre.

66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në Shqipëri u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit teksa ecte me këmbë pranë Piramidës. Ai u ndoq nga Shyti, i cili, i veshur me maskë Covid-19 e qëlloi dy herë me armë zjarri. Deri më tani janë identifikuar si të përfshirë për vrasjen e Behar Sofisë shtetasit: Ernejt Shyti, Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leze, që nga ana e tyre mbajnë qëndrim mohues.

Advertisement