Rajon
“Danas” shkruan për vdekjen e mundshme të…
Gazeta serbe Danas e ka bërë një shkrim në lidhje me lëvizjen e re politike të Vuçiqit që ai pretendonte të ishte “mbipartiake”. Çka thuhet në të? Vuçiq e ka paralajmëruar këtë organizatë politike javë më parë, derisa ka paralajmëruar edhe shumë anëtarësime jashtë partisë së tij në të. Por, sipas Danas, gjërat nuk po duken mirë për të.
“Megjithëse kanë mbetur më pak se dhjetë ditë deri në Vidovdan (28 qershor), konturet e Lëvizjes për Shtetin dhe Popullin, themelimi i të cilës ishte njoftuar nga Aleksandër Vuçiq për atë ditë, nuk duken ende.” – shkruhet në artikull.
Aty tregohen edhe gjërat që ende nuk dihen për këtë lëvizje. Sipas Danasit, vetëm Vuçiqi i di detajet por tash për tash nuk po i ndan me askënd.
Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresiste Serbe (SNS) kishte thënë në një tubim të fundit se për shkak të krizës do të fillonte formimi i lëvizjes në fjalë deri në kohën e Vidovdanit, në mënyrë që “të kishim një bazë për të ruajtur vendin tonë për dy apo tri vitet tjera të krizës, që janë kruciale për shtetin.”
Por, sipas Danasit madje as partnerët e koalicionit dhe as serbët e Kosovës nuk kanë marrë deri tash ftesë që të bëhen pjesë e këtij projekti politik dhe as që e dinë se për çka po flitet specifikisht.
“Duket se ftesa deri tash i ka shkuar vetëm Lëvizjes së Socialistëve të Aleksandër Vulinit…” – shkruhet tutje.
Sipas burimeve të kësaj gazete, Vuçiq nuk është i sigurt nëse gëzon mbështetjen e bashkëpartiakëve të Ivica Daçiqit, që frikësohen se mund të humbin identitetin politik.
Daçiq këto raportime i cilësoi “pallavra”.
“Çfarë pallavrash. Ju lexoni shumë fantashkencë,” – i tha ai gazetës opozitare serbe.
Por, duket se as anëtarët e partisë së Millorad Dodikut nuk janë entuziastë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje politike.
Ndërkohë, Mirosllav Paroviqi nga Lëvizja e Lirisë së Popullit citohet t’i ketë thënë këto fjalë:
“Lëvizja e re e Vuçiqit vdiq para se të formohej. Data zyrtare e dështimit ishte dita e kundër-protestës së madhe të 26 majit, kur ishte e qartë se kishte të bënte me një tregim të dështuar. Dhe dy njerëzit më të lumtur atë ditë ishin Dodiku dhe Daçiqi, që e shijuan çdo sekond të rënies së Vuçiqit…”
Ai tutje shtoi se “ëndrra e Vuçiqit ishte të shpallej president i krejt serbëve për Vidovdan, dhe të formonte një rajon autonom në Kosovë në modelin e të 90-ave në mënyrë që të ketë një president serb aty që do ta mbështeste.”
Vetë Vuçiq ka paralajmëruar para disa ditësh se për Vidovdan do të kishte lëvizje aktive të serbëve të Kosovës, ndërkohë që gazeta Blic në Serbi ka paralajmëruar se Asociacioni mund të shpallej në mënyrë të njëanshme nga serbët e veriut.