Connect with us

Politike

Dash Shehi për Këlliçin: Duhet të kapërcejë gardhin e Foltores

Belind Këlliçi duhet të kapërcejë gardhin e foltores dhe të ketë një projeksion politik. Këtë këshillë i jep kreu i LZHK-së Dashamir Shehi kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për kreun e bashkisë së Tiranës, pa fshehur vlerësimet për të.

Në studion e Ditarit në A2 CNN ai tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës është shpresa e ndryshimit për gjëra politike në Shqipëri.

“Zotëria që ka dalë për Tiranë i mbush kushtet por duhet të kapërcejë gardhin e foltores, duhet të dalë nga bashkësia që e ka zgjedhur, dhe duhet të ketë një projeksion politik. Por ai që nuk inspiron një proces politik dhe nuk është projeksion politik për zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është drejtori, por shpresa e ndryshimit për gjëra politike në Shqipëri. Shtegu është i ngushtë, por nuk kemi shteg tjetër. Është djalë i ri që e kam për zemër, por politika është gjë publike dhe bëhet në publik. Unë besoj në këtë që them haptazi është një ofertë politike një projekt politik që nëse e përqafon e ndihmon. Mund të mos e pëlqejë”, tha ai.

Për deklaratën e Këlliçit për transport falas, Shehi tha se gjëja e parë që duhet bërë për kryeqytetin është rritja e shpejtësisë së mjeteve publike që zhbllokon trafikun.

“Ky zotëria që tha transport falas e kanë shumë vende, mënyra sesi e tha mund të jetë e gabuar por procesi duhet kapur ndryshe. Problemi kryesor në Tiranë është që autobusi nuk po shërben më, se ecën me 10 km orë. Puna e parë është të rritet shpejtësia e qarkullimit të mjeteve publike në Tiranë, e pengojnë rrugët, trafiku. Duhet të bëjmë vepra publike të shpërndajmë parkingje. E gjithë qendra duhej rrethuar me parkingje.

Të subvenciononim studentët, pensionistët, por duhet ta fillojmë nga bllokimi në trafik, ndotja e qytetit. Në qendër të qytetit nuk mund të kalojë trafiku kryesor. Ka shumë tema për t’u bërë për qytetin, por qytetet kryesore kanë edhe një detyrë tjetër duhet të prodhojnë një të ardhme e shpresë”, tha Shehi.

Shehi theksoi se do të mbështesë kandidatët e dalë nga opozita për zgjedhjet lokale të 14 majit:

“Për kryetarë bashkie do të mbështesim ata të opozitës, urojmë që të jetë një kandidat i vetëm. Nuk mjafton rrotacioni duhet ndryshim real nëse duam shpresë e shtet më të mirë sesa sot. Ne morëm përsipër të bënim aleancë principi.  Brenda Tiranës kam kuotë të pëlqyeshme përderisa nuk jam unë alternativa më e madhe nuk kishim pse të ngatërroheshim dhe nuk jam pishman. Të gjithë duhet të merreshin me këtë, por ata shfrytëzuan primaret për luftën e brendshme. Në qytete e mëdha ndërkohë janë disa personazhe të pëlqyeshëm dhe do t’i mbështes pa hequr dorë nga kritikat dhe idetë e mia”.

Advertisement