Shkrime
Dashnoret e virgjëra të kohëve tona
Nga Etleva Kondakçiu
Dikur, në kohën e adoleshencës sime, trafikimi i vajzave dhe grave ishte në kulmin e tij rrëqethës. Ndodhte që vajzat t’i merrnin me forcë në rrugë, në lagje, madje edhe në klasë. Kudo shihje djem e burra që vërdalloseshin me makina duke xhiruar gomat për të testuar reagimet e vajzave. Kjo ishte edhe një mënyrë për të parë nëse ndonjërës do t’i dilte për “zot” ndonjë vëlla, baba, apo i dashur i fortë.
E kështu, edhe sot e kësaj dite ka ende vajza, tashmë gra me rrudha që në rastin më të mirë mund të kenë arritur të gjejnë ndonjë burrë “që nuk e ka pasur problem” punën që ato kanë bërë dhe mund të jenë martuar e të jenë bërë me fëmijë.
Pak vite me vonë, organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare filluan një fushatë të gjerë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kryesisht për t’u hapur sytë njerëzve. Në një prej aktiviteteve të këtyre fushatave, një gjimnaziste nga një fshat i Lezhës, nisi të qante me dënesë dhe iu hap njërës prej trajnerëve. “Më përdhunon vëllai sistematikisht. Është i martuar dhe më fëmijë. Jetojmë në një fshat që nuk ka ujë. Ai e nis gruan e vet dhe nënën për ujë që të mbetemi vetëm dhe vazhdon avazin. Dua të iki, të zhdukem. Lutem që dikush të më trafikojë. Të më marrë prej këtej, të më çojë ku të dojë, veç të zhdukem prej tij.”
Tashmë nuk jepen më fonde për projekte të tilla. Tashmë ka viza. Një vajzë, djalë apo grua mjafton të gjejë aq lekë sa të bëj një pasaportë e të blejë një biletë avioni dhe mund të “vetë-trafikohet”.
E trafiku prapëseprapë vazhdon. Kriminelët që s’e kanë për gjë të shfrytëzojnë çdokënd për para nuk tuten. Sot ke pronarë biznesesh të mëdha që nuk përtojnë të shtien në dorë vajza apo gra që duken se “nuk u del zot njeri”. Kush nuk e njeh ndonjë vajzë apo grua që pronari e ka “si të tijën’? Shpesh janë vajza nga ato “të mirat”, të cilat familja i mban ende për “të virgjëra”, se ato nuk kanë pasur kurrë histori të njohura me ndonjë djalë. Janë motra vëllezërish “të fortë” që nuk “ua prek” kush motrën, se ata për nder jetojnë. Janë gra burrash që kalojnë pothuajse gjithë kohën pijetoreve, duke sharë çdo grua të përdalë në lagje dhe duke u betuar me kuç e me maç se s’guxon t’ua prekë kush gruan apo, larg qoftë, vajzat. E gratë dhe vajzat “e turpshme” vazhdojnë të bëjnë punonjësen e përkushtuar të kompanisë, ndërkohë që paratë lumë të kësaj të fundit shkojnë për ndërhyrje estetike të gruas “zyrtare” apo për shkolla të shtrenjta të fëmijëve të pavarur, që për sa kohë, llogaria u rrjedh, nuk mundohen të vrasin mendjen nëse sekretarja apo menaxherja “e dashur dhe punëtore” e babait mund të marrë pak nga kujdesi i babait apo ndonjë çikërrimë materiale, me të cilën gënjehet sa të mos i shkojë mendja për pronar tjetër.
Po të shohësh studimet në fushën e kriminologjisë dhe mënyrat se si kriminelët përdorin femrat në krim kupton atë që është më shumë sesa shqiptare. Njerëz me synim kryesor paranë përdorin gjithkënd, ndërtojnë edhe marrëdhënie në dukje romantike, duke investuar sa ta fusin shënjestrën në tabelë, dhe pastaj e mbajnë peng, pa i lënë mundësi as të lëvizë gishtin e vogël të dorës. Me këtë lloj kontrolli, perandoria e tyre e biznesit dhe familja për foto revistash, rritet. Ata bëhen pronarë edhe më të mëdhenj, me nipër e mbesa që rriten. Dashurorja apo dashuroret e tyre ndërkohë ngecin. Fillojnë të besojnë madje se fati deshi që ato të “shijojnë një dashuri aq të bukur, sekrete”, por të mos kenë kurrë një “burrë” publik, se fëmijë as që diskutohet që jo. E kështu e mbyllin edhe jetën vajzat “e virgjëra” të familjes që zgjodhën të mos martohen kurrë!