Shkrime
Dashnoret nuk duan lule
Nga Ermal Peçi
Graviteti i opinionit publik sot është pothuajse tërësisht i fokusuar tek Big Brother, dhe kjo nuk është për t’u habitur. Lori Hoxha e ka kthyer këtë format në art klikimesh, ndërsa Ledion Liço është një nga prezantuesit më të mirë që ka Shqipëria, me aftësi të jashtëzakonshme për të menaxhuar një show me peshë të madhe në publik.
Në këtë mekanizëm të reality-show-t po tenton të spikasi edhe një figurë që në politikë nuk la gjurmë, por që në ekran po vishet me ngjyra shkëlqyese si asnjëherë më parë, Monika Kryemadhi. Ajo që më bëri përshtypje ishte një shprehje që më vrau veshin, edhe pse u përpoq të tingëllonte si batutë:
“Dashnoret nuk duan lule, por gjëra të tjera.”
Në sipërfaqe tingëllon qesharake, por në të vërtetë kjo frazë bart një konotacion pezhorativ që nuk duhet nënvlerësuar. Ajo supozon se femrat janë të interesuara kryesisht për gjëra materiale, duke i reduktuar marrëdhëniet njerëzore në një lloj transaksioni.
Kur një zonjë e përdor këtë shprehje, efekti është dyfish i dëmshëm, nuk është më një batutë private, por një mesazh publik që normalizon një stereotip maskilist. Femra shfaqet sikur e pranon vetë se interesat e saj janë materiale dhe jo intelektuale, emocionale apo sociale. Në një shoqëri ende patriarkale, kjo e vendos gruan në një rol pasiv dhe objektivizues ndërsa në sytë e publikut shihet si model.
Big Brother është një ekran ku çdo shprehje riprodhohet pafundësisht dhe ka një audiencë realisht shumë të lartë, gjë që e tregojnë edhe statistikat në YouTube. Kur “Dashnoret nuk duan lule”, një fjali që artikulohet nga një figurë publike femër, mesazhi nuk mbetet thjesht një batutë apo humor televiziv, ai bëhet pjesë e narrativës që femrat janë materialiste, duke përforcuar pritshmëritë e maskilizmit në shoqëri. Një batutë e thjeshtë mund të kthehet lehtësisht në instrument për ripërhapjen e paragjykimeve shoqërore, dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar.
Në një kohë kur femrat shpesh duhet të luftojnë për të mos u përthithur nga një shoqëri patriarkale, tashmë duhet të kenë kujdes edhe ndaj njëra-tjetrës. Një batutë e tillë nuk është thjesht një fjalë e lehtë, është një ripërhapje e stereotipeve që femrat, madje edhe zonjat e ekranit, nuk duhet t’i mbajnë gjallë.
Ndërsa e gjithë Shqipëria bën muhabet për “gjërat e tjera”, një gjë mbetet e qartë, asnjë lule nuk e shpëton imazhin e femrës nga stereotipi, nëse vetë ajo pranon ta ushqejë atë.