Politike
Debate për projektin e Portit, Bardhi: A do ndikojë në konkurencë
Projektligji për projektin e Durrësit është diskutuar edhe në komisionin e Ligjeve, ku pati debate nga ana e deputetit të PD, Gazment Bardhi dhe drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.
Gjatë diskutimeve të bëra, Bardhi kërkoi të dinte nëse projekti do të ndikonte në konkurrencën mes ndërtuesve, duke qenë se investitori strategjik do të shiste apartamente që do ndërtoheshin në port.
Vengu iu përgjigj duke thënë se nuk bëhej fjalë vetëm për pallate por për shërbime dhe banesa të cilat do të shtynin më tej zhvillimin e infrastrukturës.
“Përmendet shpesh, fjala pallate. Nëse e keni fjalën për ndërtesa, po. Ne po flasim për ndërtesa. Nuk ka koncept zhvillimor me çadra, patjetër që ka infrastrukturë. Nuk janë pallate këto, janë ndërtesa shërbimesh, janë banesa. Zhvillimi është urban, jo një zhvillim banesash sociale.
Unë nuk kam parë projekt tjetër në Shqipëri, ku duhet rehabilituar vija bregdetare. Këtu kemi të bëjmë me një koncept zhvillimor me hapësira publike, deti është pronë publike, ka akses publik. Përmendët disa investime, por unë nuk kam parë investime të tilla ku qytetit t’i rikthehen 80 mijë metër katrorë hapësira publike të gjelbra”- u shpreh Venga.
Teksa Bardhi vijoi sërish me të njëjtën pyetje, e cila sipas tij nuk mori përgjigjie, drejtuesja e komisionit, Klotilda Bushka vendosi të ndërpresë mbledhjen për 5 minuta pushim. Shkak u bënë replikat mes Bardhit dhe drejtorit të Portit të Durrësit.
Pjesë nga diskutimet:
Bardhi: Dëgjova në përgjigjien tuaj se kontributi i shtetit do jetë i shtrirë në 20 vite. A mund të më thoni cili është kontributi që shtrihet në 20 vite?
Kadiu: Shtrohet në 20 vite kontributi shtetëror, duke qenë se zhvillimi zgjat 20 vjet. Më e thjeshtë besoj nuk bëhet.
Bardhi: Pra prona nuk do vihet në dispozicion, ky do ndërtojë në ajër sepse prona do jepet pas 20 vitesh, dhe ne vetëm do marrim lekë.
Bushka: Mos bëni si i indinjuar tani, se nuk ua mori njeri fjalën.
Bardhi: Shteti shqiptar del i humbur nga ky biznes, fiton një kompani private. Në investimin më të madh, kryeministri nuk firmos, e ka praktikë pune që lë Belindën të firmosë.
(Replika nga drejtori i Portit të Durrësit)
Bardhi: Ti pusho se del jashtë ndryshe, ti pusho ti!
Bushka: Qetësi ju lutem, 5 minuta pushim!