Rajon
Debatet për përfaqësimin etnik: Jo privilegj, por e drejtë

Nga Seladin Xhezairi
Në Maqedoninë e Veriut, projektligji për përfaqësimin e komuniteteve jomaqedonase në administratën publike ka ndezur një debat të nxehtë mes pushtetit dhe opozitës shqiptare. Kjo përballje nuk është vetëm politike – ajo është një sprovë për themelet e drejtësisë dhe barazisë në një shtet multietnik.
Për të kuptuar më thellë tensionin, mund të ndihmohemi nga dy parime të njohura në logjikën politike dhe juridike:
Argumentum a fortiori (argument nga më i forti), dhe
Argumentum a contrario (argument nga e kundërta).
Këto dy mënyra arsyetimi hedhin dritë mbi kontradiktat, mungesën e barazisë dhe qëndrimet selektive të shtetit ndaj grupeve jomaqedonase. Ato na ndihmojnë të shohim qartë se si heshtja në ligj mund të përkthehet në përjashtim në praktikë. Kjo për shkak se kërkesa për barazi nuk është aspak privilegj as luks, por domosdoshmëri demokratike.
Argumentum a fortiori
Nëse shumica ka të drejta, të tjerët kanë nevojë për më shumë garanci.
Nëse maqedonasit, si grup shumicë, kanë përfaqësim të natyrshëm dhe të padiskutueshëm në çdo nivel të administratës — nga ministritë deri tek komunat — atëherë argumentum a fortiori, grupet jomaqedonase si shqiptarët, turqit, romët dhe të tjerët, që kanë përjetuar dekada përjashtimi dhe diskriminimi, duhet të kenë garanci ligjore edhe më të forta për përfshirje.
Kërkesa për përfaqësim nuk është privilegj, por mekanizëm për të korrigjuar një çekuilibër historik dhe për të parandaluar ndërtimin e një administrate që reflekton vetëm përkatësinë etnike të shumicës.
Argumentum a contrario
Ligji që hesht për të drejtat, në fakt i mohon ato:
Nëse projektligji nuk përfshin dispozita të qarta dhe të detyrueshme për përfaqësimin e komuniteteve jomaqedonase, nuk parashikon sanksionime për shkelje, atëherë po t’i referohemi argumentum a contrario, kjo nënkupton: përjashtimin e tyre. Heshtja në ligj nuk është neutralitet – është qëndrim politik. Dhe ky qëndrim bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit tashmë të shkrirë në Kushtetutë dhe ligje, por është edhe në shpërputhje me vetë parimet e bashkëjetesës demokratike.
Kjo bëhet edhe më e qartë kur përfaqësues të shumicës etnike refuzojnë të pranojnë përfaqësimin e të tjerëve, ndërkohë që “të tyren” e konsiderojnë të natyrshme dhe të pakontestueshme. Ky, zatën është paradoksi i pushtetit: barazia shihet si kërcënim vetëm kur kërkohet nga të përjashtuarit.
Mënyra se si është mbarështruar ky projekligj dhe konteksti kohor në të cilin pritet të miratohet, duke marrë parasysh debatin e hapur për rregullimin juridik të shtetit, lë hapësirë për dronë se kjo “barazi juridike” me mbështetje në “parimin e kombit unik – maqedonas” ka për të shkaktuar dhe më tej tensione pikërisht për shkak se, si e tillë, kjo qasje do të jetë shkaktare e pabarazisë etnike, gjuhgësore, kulturore dhe, pse jo, edhe politike, të jomaqedonasve dhe në radhë të parë të shqiptarëve. Kjo tendencë prodhon diskriminim, është përpjekje për asimilim që, për shkak të kundërshtisë, nuk është se s’mund të prodhojë tensione, për të mos thënë, krizë apo konflikt – ndëretnik. Pushteti aktual, si duket, nuk ka marrë yrnekun nga shtetet që janë përballur dhe u kanë dhënë apo po punojnë që t’ju japin rrugëzgjidhje çështjeve të tilla të hapura të karakterit (ndër)etnik, si Franca, Belgjika, Finlanda, Italia apo Zvicra. Po, ka shtete ku nuk ekziston ndarja numerike e komuniteteve etnike – shumicë, pakicë, ama në to barazia, dmth jodiskriminimi sigurohet përmes përdorimit zyrtar të gjuhëve të tyre. Jo sikurse në rastin e Maqedonisë së Veriut!
Si përfundim, kërkesa për përfaqësim të drejtë nuk është kërcënim për unitetin e shtetit, por kusht për stabilitet afatgjatë. Ajo nuk nxit ndarje – përkundrazi, korrigjon pabarazitë që prodhojnë ndarje më të thella dhe më të rrezikshme. Dhe, nëse një shoqëri nuk ka guximin të zbatojë drejtësinë për më të dobëtit, atëherë as e drejta e shumicës nuk është asgjë më shumë se një privilegj i përkohshëm. Fundja, pse Maqedonia të mos ndjekë shembullin e Zvicrës ku qytetarët me prejardhje gjermane, italiane e franceze, janë para së gjithash zviceranë që flasin edhe zyrtarisht gjermanisht, italisht ose frengjisht?

