Connect with us

Aktualitet

Dëbora dhe temperaturat e ulëta rrezikojnë frutikulturën në juglindje

Kapriçot e motit, me reshje dëbore dhe temperatura disa gradë nën zero në juglindje të vendit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në frutikulturë, kryesisht tek pemët e kumbullës dhe qershisë.

Fermerët kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi rrezikohet i gjithë prodhimi, ndërsa specialistët e bujqësisë pranojnë që kushtet e motit përbëjnë rrezik potencial që shumica e frutikulturave të mos prodhojnë këtë sezon.

Jorgo Braholli ka sipërfaqe të mbjella me këto kultura dhe tregon se prodhimi i këtij viti është shkatërruar i gjithë.

“Deri dje ishim në 80% të rrezikshmërisë, me rënien e borës dhe temperaturat -7 gradë Celsius, sipas studimeve, kumbulla dhe qershia nuk rezistojnë dot. Është 100%, nuk ka këtë vit kumbulla dhe qershi, bëj thirrje ministrisë së bujqësisë për të shpallur gjendjen e alarmit në juglindje të vendit. Nuk ka fruta në juglindje,” thotë fermeri Jorgo Braholli.

Një gjë e tillë është pranuar nga specialisti pranë drejtorisë rajonale të ekstensionit bujqësor, Arben Hysolli, i cili thekson se dëmet janë në shkallë të lartë.

“Është e vërtetë, kulturat bërthamore janë më të rrezikuara në situatën që na shoqëroi me dëborë dhe ngrica. Ka kaluar në zona të veçanta deri në -7. Do të ketë një rrezik dëmtimi potencial. Por besoj se dëmtimi do të jetë serioz në këto kultura,” thotë Arben Hysolli, specialist i drejtorisë rajonale të ekstensionit bujqësor.

Fshatrat Dvoran dhe Kamenicë janë të njohura për prodhimin e frutikulturës, ndërsa pritet pas 72 orësh për të kuptuar nëse janë shkaktuar dëme edhe tek pemët e mollëve.

Advertisement