Aktualitet
Deklarata e Policisë/ Babai i Luis Meçes: Ka dy autorë, e vërtetojnë pamjet
Fiqiri Meçe, babai i Luisit tha se djali i tij është i sigurt se në ditën e krimit kanë qenë dy persona që i kanë goditur. Babai i 14-vjeçarit tha për “Top Story” se deklaratat e tij janë marrë nga prokurorja dhe se është faktuar nga kamerat se ka dy autorë.
“Këto deklaratat nëpër media s’më duken shumë serioze sepse presim të vijë mjeku ligjor të bëjë pjesën e goditjeve që ka marrë në shpatull të kemi rezultat përfundimtar, kemi kërkuar që të jetë mjeku ligjor dhe të bëjë ekspertimin e plagëve, të dalë në një konkluzion, unë i besoj shtetit, mendoj do bëjë më të mirën, për çdo fëmijë duhet një kujdes i veçantë, drejtësia do të shkojë në vend. Më ka thënë se deklarata është mese e saktë dhe bazohet me deklaratën edhe para prokurores, fëmija im është i sigurt për atë që flet, i mëshojmë idesë që ka dy autorë, është e faktuar nga kamerat që personat kanë qenë të dy bashkë. Këtë duhet ta zgjidhin hetimet, unë si prind mund të bëj ankesa, nuk dua që fëmija i dikujt tjetër të dënohet për krim. Deklarata që ka dhënë ishte dje e marrë nga prokurorja. S’e di ku e di policia e shtetit që ka një person. Fëmijët do të thonë që janë dy persona”, tha ai.
Të hënën e 18 nëntorit, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një “pse më shikon?”, por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë. Që nga dita e ngjarjes deri më sot, i mituri ishte në spital, por sot është nisur për në Kavajë, në institucionin e vuajtjes së dënimit për të miturit.