Aktualitet
Deklarata/ Inati derdhet mbi Christopher Hill
Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill për sulmet e NATO-s ndaj Serbisë dhe se serbët nuk do ta harrojë kurrë atë periudhë, ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të shtetit të Kosovës.
Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani në një postim në Twitter ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.
Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.
“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.
Dje, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90, duke i përfshirë siç tha ai edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.
Ai në një postim në Twitter, duke kujtuar atë periudhë, thekson se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, dhe duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s u shpreh se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë.