Politike
Deklarata për Ukrainën/ Si e dominoi Vuçiç samitin në Tiranë
Samiti për Ukrainën në Tiranë përfundoi me fjalë të mëdha, por në letër, duket se jo çdo gjë që u tha, u vulos. Në deklaratën e përbashkët për agresionin rus në Ukrainë, përmendet se sa herë është sulmuar Ukraina nga Rusia, por asnjë masë kundër sulmeve.
Mesa duket premtimi që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri para mediave dhe para aleatit të tij rus Vladimir Putin, u mbajt. Vuç deklaroi pak para se të niste samiti se në deklaratë nuk do të kishte asnjë sanksion kundër Rusisë dhe asnjë masë që Rusia të ndalonte luftën e saj. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi. Në deklaratën e përbashkët të shteteve pjesëmarrëse nuk përmenden fare sanksionet kundër Rusisë si dhe asnjë mbështetje në favor të Ukrainës.
“Kemi disa propozime për deklaratën, por do ta shohim. Mund të them vetëm se do t’i përmbahem parimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dy vjet më parë,” tha Vuçiç, të cilit iu plotësua dëshira për të ndryshuar deklaratën e shkruar më parë, në të cilën përmendeshin dhe sanksione ndaj Rusisë.
Po ashtu një pikë tjetër, që iu ndryshua deklaratës së përbashkët, po me kërkesë të Vuçiç është dhe heqja e fjalës shtete. Mediat serbe pro qeveritare, raportuan ditën e sotme se Vuçiç ka kërkuar që të hiqej kjo fjalë nga deklarata, pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Kosovën si Shtet.
“Lideri serb do të kërkojë që nga teksti të hiqen sanksionet kundër Rusisë dhe shprehja: ndikimi malinj i Federatës Ruse në vendet e rajonit. Po ashtu, presidenti i Serbisë do të kërkojë që në tekst të mos shkruhet “shteti” por “Gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor”, kjo pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet,” thuhet në mediat serbe.
Dhe në deklaratën e përbashkët mes vendeve të pranishmë në samit, i është ndryshuar fjala ‘shtetet’ dhe në vend të saj janë shkruar emrat e personave të pranishëm në samit. Të gjitha këto ndryshime janë bërë me kërkesë të Vuçiç, pasi asnjë nga liderët e tjerë, nuk patën kërkesa për ndryshimin e deklaratës së përbashkët. E vetmja gjë që Vuçiç i ngeli pa bërë në këtë samit ishte vetëm që ta organizonte dhe ta drejtonte atë.