Connect with us

Bota

“Deklaratat e Netanyahut, shqetësuese”, ministrat e Jashtëm të BE ngrenë alarmin

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë shprehur njëzëri kundër deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu duke mbështetur krijimin e një shteti palestinez si zgjidhja e vetme për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Gjatë fundjavës, Netanyahu theksoi kundërshtimin e tij për krijimin e një shteti palestinez pas luftës, duke sfiduar shtytjen e Perëndimit për të ashtuquajturën “zgjidhje me dy shtete”.

Deklaratat e kryeministrit izraelit u kritikuan nga ministrat e jashtëm të bllokut, të cilët, me të mbërritur në një takim në Bruksel përsëritën se krijimi i një shteti palestinez duhet të jetë pjesë e negociatave të ardhshme të paqes.

“Deklaratat e Benjamin Netanyahut janë shqetësuese,” u tha gazetarëve përpara takimit ministri i jashtëm i Francës, Stéphane Séjourné. Ne kemi nevojë për një shtet palestinez me garanci sigurie për të gjithë.

 

 

Ministri Micheál Martin i Irlandës i përshkroi komentet e Netanyahut si “të papranueshme”, duke i kërkuar kryeministrit izraelit që “të dëgjojë shumicën dërrmuese të botës që duan paqen dhe që duan zgjidhjen me dy shtete si garancinë përfundimtare të sigurisë për Izraelin dhe qytetarët izraelitë”.

“Palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, në siguri, në liri vetëm nëse Izraeli jeton në siguri. Kjo është arsyeja pse zgjidhja me dy shtete është zgjidhja e vetme dhe ata që nuk duan të dinë për të nuk kanë paraqitur ende ndonjë alternativë tjetër. “tha ministrja gjermane Annalena Baerbock.

Homologu i saj austriak, Alexander Schallenberg, i konsideruar ndër aleatët më të vendosur të Izraelit, i përshkroi gjithashtu deklaratat e Netanyahu si “jo largpamëse”, duke mbrojtur të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje si “zgjidhja e vetme”.

“As izraelitët nuk do të zhduken në ajër, as palestinezët. Ata të dy do të duhet të jetojnë krah për krah në këtë rajon,” theksoi Schallenberg.

Advertisement