Aktualitet
Deklaratë dorëheqjeje si Kryetar i LRE!

Nga Arian Galdini,
Themelues i Lëvizjes Rinisje (LRE)
Të dashur bashkudhëtarë të Lëvizjes Rinisje, të dashur qytetarë shqiptarë,
Pesë vite më parë, më 24 tetor 2020, ne ndezëm një dritë që ende ndriçon.
Lëvizja Rinisje lindi si besëlidhje vlerash, si betim për të ngritur një të djathtë autentike shqiptare, të rrënjosur në virtyt, në dinjitet dhe në besim tek Zoti.
Që prej asaj dite, unë kam shërbyer me gjithë shpirtin tim si Kryetar i LRE, por mbi të gjitha si shërbestar i këtij misioni.
Sot, në këtë 19 shtator 2025, me ndërgjegje të plotë dhe me besim të palëkundur tek forca e LRE, shpall publikisht dorëheqjen time si Kryetar i Lëvizjes Rinisje.
Ky akt është i menduar thellë. Ai nuk është tërheqje nga misioni, nuk është dorëzim përballë stuhive.
Është dëshmi se Lëvizja është më e madhe se një individ, dhe se demokracia e brendshme është themeli i çdo organizimi të vërtetë politik.
Në aspektin juridik dhe organizativ, kjo dorëheqje hyn në fuqi sot si akt solemn i Kryetarit.
Megjithatë, deri më 25 tetor 2025, ditën kur do të festojmë përvjetorin e pestë të LRE, unë do të vazhdoj të kryej formalisht dhe ligjërisht detyrën e Kryetarit të LRE, derisa të mblidhen organet e Lëvizjes dhe të zgjedhin Kryetarin e ri.
Kjo është e drejta dhe përgjegjësia ime e fundit institucionale si Kryetar, dhe njëkohësisht është amaneti që ia dorëzoj të gjithë anëtarëve të LRE për të dëshmuar se pushteti nuk mbahet si pronë, por shërbehet si detyrë.
Ky akt është dëshmi se politika pa virtyt nuk është gjë tjetër veçse ambicje.
Ne, me LRE, kemi zgjedhur rrugën e virtytit. Lideri i vërtetë nuk lidhet me karrigen, ai lidhet me misionin.
Ai di të vijë kur është thirrur, di të largohet kur është koha, dhe di të qëndrojë gjithmonë si shërbestar i së vërtetës.
Ky është një mësim që dua ta lë si testament për brezat e ardhshëm, demokracia e brendshme është prova më e madhe e karakterit politik.
Në aspektin misionar, unë mbetem gjithmonë i pandarë nga LRE.
Themeluesi nuk largohet nga themeli. Misionari nuk ndahet nga misioni.
Unë mbetem shërbestar i të djathtës humane, mbetem dëshmitar i Neoshqiptarizmit, mbetem udhëtar i besëlidhjes së LRE për një Shqipëri që ringrihet në dinjitet dhe liri.
Më 25 tetor 2025, LRE do të zgjedhë Kryetarin e ri.
Atë ditë, do të dëshmojmë para Shqipërisë dhe para vetes se jemi një lëvizje që ecën me pjekuri, me dinjitet dhe me besim tek Zoti.
Do të dëshmojmë se LRE është një trup i gjallë, një frymë që nuk varet nga një njeri, por nga besëlidhja e përbashkët.
Unë, Arian Galdini, largohem nga detyra e roli i Kryetarit, por qëndroj si themelues, si misionar, si zë që mbetet në këtë lëvizje përjetësisht.
Dhe dua që ky akt të mbetet si shembull në shkollat e lidershipit politik, se pushteti është amanet, se dorëheqja nuk është dorëzim, se lidershipi është shërbesë dhe besëlidhje, se virtyti është më i madh se çdo titull.
Le të hyjë ky çast në historinë tonë si LRE, jo për fjalët e mia, por për shembullin që lëmë.
Dhe shembulli është ky, një lider largohet, misioni mbetet, Lëvizja vazhdon.
Me besim në Zot, me përulësi para Atdheut dhe me dashuri për LRE,
Arian Galdini
Themelues dhe Misionar i LRE – Rinisja
Tiranë më, 19 shtator 2025

