Connect with us

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit në Shkodër, si shumë kriminelë arritën të largoheshin

Sot, Policia e Shtetit ka nxjerrë pamjet e aksionit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i koduar “Metamorfoza”, ku 9 persona me precedentë penale u shpallën në kërkim. Më shumë sesa numri i personave që u vunë në pranga nga agjentët e SPAK, RENEA, FNSH-të, Operacionalja, etj. Në Shkodër ndodhi “rrjedhja” më e madhe e personave në listë për t’u vënë në pranga, e duket se Policia ka zbuluar “padashje” përse ka ndodhur diçka e tillë.

Nëse sheh me vëmendje videon e Policisë, dallohen pamje të një dhome ku transmetoheshin pamjet e marra nga kamerat e sigurisë të shpërndara nëpër lagje të ndryshme në qytet, psh: Skënderbeg; Drobraç; Unaza, e zona të tjera gjithashtu. Mesa duket i gjithë aksioni i organizuar nga Policia është parë nga kamerat e sigurisë, për të cilat u zhvillua aksion pak kohë më parë. Në janar të këtij viti, në Shkodër u hoqën dhjetra kamera sigurie, të vendosura në shtylla elektrike dhe jo vetëm, ndërsa Policia mori në pyetje anëtarët e fisit Lici edhe Bajri, por asnjë nuk ndihmoi hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave.

'Kamerat spiune’ janë rikthyer?! Kush e dekonspiroi operacionin

Por mesa duket pas përfundimit të operacionit 7 muaj më parë, kamerat janë rivendosur, e ndoshta kësaj herë përveçse për të monitoruar grupet rivale, janë përdorur për t’u ruajtur edhe nga Policia. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dje hodhi dyshime për një dekonspirim të operacionit, duke shpjeguar në këtë mënyrë dështimin në prangosjen e disa personave me rrezikshmëri të lartë. Por ndoshta nëse kanë mundur që të rivendosin pa u vënë re kamerat e sigurisë, nuk kanë pasur nevojë për asnjë fjalë nga asnjë efektiv Policie. Mesa duket, pamjet kanë ‘folur’ vetë…

Advertisement