Connect with us

Kronike

“Dekonspiroi operacionet e ‘Guardia di Finanza’!”/ Ja kur do dalë para prokurorisë Mitri

Ish-kreu i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, u dorëzua ditën e djeshme në Policinë e Tiranës i shoqëruar nga avokati i tij, 4 muaj pasi Gjykata e Posaçme i caktoi “arrest në burg” në mungesë në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Mësohet se të premten Mitri pritet të dalë në gjykatë për rivlerësimin e masës së sigurisë, aty ku edhe do të japë për herë të parë shpjegimet e tij. Mitri po hetohet pasi ka dyshime se drejtonte kultivimin e kanabisit në Lezhë dhe organizonte aktivitetin e lojërave të fatit.

Si drejtues i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri ishte i pari që merrte informacion nga Guardia di Finanza të kontrolleve nga ajri, me koordinata të përcaktuara saktë, urdhra të cilët firmoseshin pikërisht nga ai. Por para sa të bënte detyrën ai komunikonte me vartësin e tij, shefin e Antidrogës, Klodian Shahini, të cilin e pyeste ku janë parcelat e mbjella me kanabis nga bashkëpunëtorët dhe nëse përkonin me koordinatat ku do të fluturonte GdF, njoftoheshin trafikantët, të cilët merrnin masat.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Sot më datë 11.09.2024, rreth orës 18:45, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasi H. M., i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Operacioni “Revanshi” 

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK janë goditur 7 grupe të strukturuara kriminale dhe u firmosën 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe anëtarë të grupeve të tyre kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri me vlerë 4.5 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe ora të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

Sipas SPAK, në qendër të grupeve kriminale ishte ai i të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputet Arben Ndoka. Bëhet me dije se në zonën e Fushë-Krujës vepronte grupi i Durim Bamit i cili ishte në konflikt të hapur me grupin e Martinajt dhe Ndokës. Grupi i Bamit bëri aleancë me një grup kundërshtar të Martinajt që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Martinajt dhe Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, që edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë në realizimin e vrasjes së Durim Bamit. Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit. Nga njoftimi i SPAK është evidentuar dhe përfshirja në ngjarjet kriminale edhe një ish-deputeti, Arben Ndoka, katër punonjës policie; drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, efektivët e RENEA-S, Altin Morina dhe efektivi me iniciale A.P,.

Sipas SPAK, Mitri së bashku me ish-punonjësin e policisë kufitare Klodjan Shahini dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Gjithashtu së bashku me Preng Gjinin, aktualisht në arrest për një hetim tjetër, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në Lezhë. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit i njohur ndryshe me pseudonimin Visi i Pojës.

Advertisement