Shkrime
Delegacioni ‘rus’ në Forumin e BE-së
Nga Baton Haxhiu
Gjatë Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, një ditë e zakonshme diplomatike mori papritur ngjyrat e një skene filmi, sapo delegacionet ballkanike nisën të hynin në sallë me ritme që sfidonin protokollin dhe e shtynin atmosferën drejt improvizimit tipik ballkanik.
Delegacioni malazez u shfaq i pari, me vonesë, por me një lloj vetëbesimi që vetëm Ballkani e prodhon natyrshëm.
Kryeministri Spajić në krye, ekipi i tij pas dhe një mënyrë ecjeje që të jepte ndjesinë e një rikthimi triumfal, jo të një mbërritjeje të rastësishme.

Teksa salla u sistemua dhe protokolli mori frymë, erdhi momenti i dytë që nuk ishte parashikuar në asnjë agjendë.
Delegacioni serb, i kryesuar nga Ana Brnabić, u kthye në sallë pasdite.
Nuk pati ritmin teatral të malazezëve, por pati diçka më të vyer për një reportazh në kohën e gabuar. Sepse u shfaqën pikërisisht në sekondën kur Edi Rama po fliste para audiencës.
Aty u prish heshtja, por jo fjalimi. Rama i pa që po hynin, e ndaloi për një çast ritmin e tij, dhe me atë lloj qetësie që përdor vetëm kur dëshiron të godasë me humor, iu drejtua sallës: “Ju lutem, përshëndeteni hyrjen e delegacionit rus!”.
Pati një sekondë ngërç, si gjithmonë kur batuta është më e fortë se konteksti. Pastaj salla qeshi. Dikush lehtë, dikush me siklet, dikush duke fshehur reagimin.
Në reportazhin e saj, Bojana Selaković e kap këtë çast me syrin e njeriut që e di se në Ballkan nuk ka kufi të qëndrueshëm midis protokollit dhe improvizimit.
Momenti nuk zgjati shumë, por mjaftoi për t’i dhënë ditës një histori të vogël që do të qarkullojë gjatë.
Një skenar, i cili në fakt nga Brukseli, u kthye edhe në Tiranë gjatë Forumit të Planit të Rritjes, me malazezët këtë herë.
Spajiç ishte sërish me vonesë, por këtë herë i fundit. Rama kishte kohë që priste më këmbë, me gazetarët që e ngacmonin.
Kur Spajiç më në fund erdhi, Rama iu kthye: “Si mund të jetë me vonesë kryesuesi (i negociatave)”.
“Nuk jemi me vonesë, jemi thjesht në kohë miku im”, i tha Spajiç ndërsa të dy largoheshin të qeshur duke i kthyer shpinën kamerave, e duke futur kokën në sallën ku gjendej BE-ja, këtë herë në Tiranë.
Sepse hyrjet e delegacioneve nuk janë zakonisht pjesa më e kujtueshme e forumeve ndërkombëtare.
Por kur një palë hyn si në film, tjetra si pa dashje, dhe folësi kryesor e përshëndet me një shigjetë ironie, atëherë reportazhi shkruhet vetë.
Në fund të fundit, as nuk ishin çështje protokolli. Ishin thjesht ditë të zakonshme ballkanike, që gjetën mënyrën e vet për të dalë nga rutina.