Aktualitet
Delvina përfshihet nga flakët/ Mbi një mijë banorë evakuohen nga shtëpitë

Flakët që zbarkuan nga Kakodhiqi drejt Delvinës ndezën alarmin mbrëmjen e djeshme, duke u afruar rrezikshëm pranë puseve të gazit dhe kondensatit, një vendburim strategjik për energjinë e vendit.
Forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, trupa të ushtrisë, helikopterë emergjencash dhe dhjetëra vullnetarë u angazhuan për të frenuar përhapjen e flakëve.
Era e fortë dhe terreni i pjerrët e bënë ndërhyrjen jashtëzakonisht të rrezikshme, ndërsa puset mbeteshin në fokus të mbrojtjes.
Natën, tymi, nxehtësia dhe flakët rrethuan qytetin e Delvinës. Rreth 10 persona, përfshirë katër ushtarë, u trajtuan për asfiksi në spitalin e përkohshëm të ngritur në Kinoteatër.
Në agim, skenat ishin tronditëse: ushtarë, zjarrfikës dhe banorë të shtrirë përtokë, në stola dhe bordura, të raskapitur pas 48 orësh pa gjumë, me shenja djegiesh dhe pa ujë e ushqim të mjaftueshëm. Katër banesa u dogjën, ndërsa kalaja e Xhermahallës, monument kulture, u prek rëndë nga flakët.
Banorët, të dëshpëruar për të shpëtuar çfarë mundnin, u evakuuan nga tre lagje, duke arritur mbi 1,000 persona, kryesisht të moshuar dhe fëmijë. Ata që ishin të aftë për të ndihmuar mbetën në terren duke sjellë ujë dhe ushqime për ekipet.
Spitali u kthye në funksion normal që në mëngjes dhe po trajton emergjencat, përfshirë të sëmurët kronikë, të asfiksuarit, tronditjet psikologjike dhe aksidentet nga flakët. Bagëtitë, në disa raste, u lanë të lira, ndërsa banorët përpiqeshin t’i shpëtonin vetë flakëve.
Forcat zjarrfikëse dhe ushtarake, të lodhura nga mbi tre javë ndërhyrjesh në vatra të ndryshme, po vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të lartë për riaktivizime, pasi era mbetet e fortë dhe terreni i djegur mban ende nxehtësi. Ndërhyrjet nga ajri kanë qenë të vazhdueshme që prej mëngjesit, ndërsa autoritete të larta, përfshirë ministrin Vengu dhe prefektin e Vlorës, ndodheshin në terren për të koordinuar operacionet.
Ndërkohë, në anën tjetër, në Tepelenë, policia arrestoi një 62-vjeçar nga fshati Iliras për zjarrvënie. Zjarri dogji disa hektarë pyje, tre banesa të pabanuara dhe rreth 400 pemë frutore. Ndërkohë, Lekli dhe Hormova u përfshinë nga një vatër e madhe që shkrumboi banesa, stane dhe pyje, duke shkatërruar edhe kishën monument kulture “Shën Ilia” dhe duke aktivizuar dy bomba të Luftës së Dytë Botërore.

