Shkrime
Demokratët si një pemë pa rrënjë, brenda PS ka plasaritje, është çështje kohe të vijë çarja
“Brenda Partisë Socialiste ka plasaritje, është çështje kohe të vijë çarja”, kështu e sheh analisti Ben Andoni situatën brenda mazhorancës, e ndikuar ndjeshëm nga procesi i shkarkimit të Erjon Veliajt nga kryetar i bashkisë Tiranë. Largimi me lehtësi prej detyre dhe shkarkimi në kundërshtim me procedurat ligjore, duke shkelur parimet e shtetit ligjor, sipas analistit është sinjal shumë i fortë për secilin prej bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në mazhorancë. Me pak fjalë, është një sinjal për fatin e ngjashëm të secilit prej tyre.
Ai flet për shkeljet ligjore në shkarkimin e kryetarit të bashkisë, por për gjyqin publik që iu bë, thekson “detin e madh” që ka Veliaj për të kaluar si pasojë e akuzave të rënda ndaj tij për korrupsion. Detajet e dosjes së publikuara në media sinjalizojnë rrugë të vështirë, larg pretendimeve për pafajësi.
Përballë mazhorancës, opozita është në një situatë ku ka vështirësi për të gjetur kandidat për bashkinë e Tiranës, gara për të cilën sipas kryeministrit ka nisur. Gjykata Kushtetuese ndoshta e vonon pak, por jo aq mjaftueshëm sa opozita të mund të gjejë një kandidat për këtë garë të fortë. Nuk është koha e pamjaftueshme, por janë metodat dhe stili i vjetër i opozitës, e drejtuar nga një lider që e ka marrë peng, që e lë pa shpresë opozitën.
“Partia Demokratike është një pemë pa rrënjë”, thotë Andoni, ndërsa gjen një kënd nga letërsia për ta gjetur zgjidhjen: 100 burra për të shpëtuar. A gjenden 100 demokratë? Padyshim që janë ata, por rruga e tyre për në selinë e Partisë Demokratike është e mbyllur, çdo shteg është madje i zaptuar.
Ndiqni analizën e Ben Andonit në një intervistë