Connect with us

Shkrime

Demoni i lirë! Ka vetëm një rrugë: Vrite

Nga Anila Prifti – Dan Hutra është një përdhunues dhe vrasës i dënuar, viktima të preferuara të të cilit janë gra të reja. Seria e krimeve sa çnjerëzore, aq dhe revoltuese, është një përrallë tragjike e nisur në rininë e tij. Erdhi nga një fshat i Kukësit që ai donte, mbase me fëmijëri të mbushur me abuzime, për të cilat nuk ka folur.

Është gjithashtu një përrallë e këtij njeriu, që ndoshta i nxitur nga fantazitë seksualisht të dhunshme, përdhunoi një familjare, vrau 3 gra të reja dhe plagosi tre të tjera. Dhe së fundi, është një përrallë tragjike e një sistemi gjyqësor i mbushur me papërsosmëri në përgjegjësinë e tij për të vendosur jetën ose vdekjen.

Në krimet e rrëfyera, ‘doja të vrisja burrat në shtëpi, por nuk i gjeta’, edhe kriminelët me të mëdhenj bëjnë një përjashtim nga rregulli dhe Hutra u duket i pështirë.

Dan Hutra mua më frikësoi, por nuk më befasoi. Në pritje të arrestimit, dikë tjetër mendoja viktimë të radhës. Ndoshta atë të ngjashme me “gratë e tij”. Pamjet e një demoni të lirë më kalonin në mëndje dhe zgjodha të mos lëvizja. Ose duhet të isha e armatosur! Në të njëjtën kohë ky ‘armik i grave’, më riktheu në vitet pas ‘90-ës. Njeriu primitiv, një kultivar i regjimit, shpërtheu! Hynte në shtëpi, i drejtonte armën kryefamiljarit: “Kjo është gruaja ime, shpejt të bëjmë martesën”. Të ndalonte në rrugë: “Mos fol, futu në makinë”.

Zhdukjet e vajzave më paralajmëruan që asgjë e mirë nuk do të ndodhte shpejt në këtë vend. Ndaj nëse besojmë se ai apo të tjerë si Hutra, janë të këqij, të pashpirt, ose thjesht të sëmurë mendorë, atëherë në jemi ende pjesë e një shoqërie që tërheq jetën dhe mendjet e vrasësve serial.

Autori i masakrës, nuk ishte as 20 vjeç ku u ekspozua më krimin e tij të parë, përdhunimin. U dënua me dy vjet burg, dhe me fitimin e lirisë kulmon me vrasjen e Dafinës. Krenohet tek nëna e saj “Qofsh vetë, vajzën ta mbyta”. 16 vjet burg, dhe ditën e parë të lirë gjen Elenën. E do atë si një skllave: “Më vish çorapet, më laj këmbët”. Kur provon edhe të shtojë vetveten përmes mitrës së saj, e akuzon “Fëmija nuk është i imi, do ju vras, do bëj gjak”.

Elena ishte vetëm njëra, para saj ishte Dafina, më pas Marjana apo Etleva.  Përpjekjet e grave për të disiplinuar Dan Hutrën dështuan. Ato u manipuluan prej tij dhe në fund u vranë! Nuk gjetën zgjidhje me dashuri dhe as me burg.

Udhëheqësi i klanit “Dyert e qiellit”, Marshall Applewhite, në një deklaratë para dënimit tha: “Unë gjithmonë kisha një dëshirë të shkaktoja dhimbje tek të tjerët dhe që të tjerët të më shkaktonin dhimbje mua. Dëshira për të shkaktuar dhimbje, kjo mbizotëron”. Ndaj nëse mizorisht jeta të afron një profil të tillë, dil dhe përballu. Ka vetëm një rrugë: Vrite!

 

Advertisement