Kosova
Deputetja britanike për ekstradimin e Radoiçiçit në Kosovë

Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka kërkuar që ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe oeganizatori e përgjegjësi kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës, Millan Radoiçiç, të ekstradohet nga Serbia në Kosovë.
“Kanë kaluar mbi 2 muaj që kur militantët e armatosur rëndë të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska, vranë një zyrtar policor të Kosovës dhe sulmuan Banjskën. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjyqin. Nuk ka asnjë justifikim për Serbinë të mbrojë Radoiçiçin dhe bashkëpunëtorët e tij nga përballja me drejtësinë për krimet e tyre” – ka shkruar Kearns
Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL) ka lëshuar javën e kaluar ‘fletarrest’ për Radoiçiçin dhe 11 persona të tjerë të lidhur me sulmin e armatosur terrorist në pjesën veriore të Kosovës të banuar më shumicë serbe më 24 shtator, ku kishte mbetur i vrarë togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre paramilitarë serbë të grupit të Radoiçiçit.

