Kosova
Deputetja e Kosovës diagnostikohet me kancer gjiri
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Mimoza Kusari Lila, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se tri javë më parë u diagnostikua me kancer të gjirit gjatë një kontrolli rutinë.
Kusari Lila ka treguar se pas diagnostikimit vendosi të kryente një operacion në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku përkujdesja e stafit mjekësor ishte e jashtëzakonshme. Në mesazhin e saj, ajo ka falënderuar veçanërisht mjekët dhe infermierët që e ndihmuan gjatë këtij procesi të vështirë, duke përfshirë Dr. Shkëndije Nuzën, Dr. Avni Behlulin, dhe të gjithë ekipin e Klinikës Torakale.
Politikania i ka drejtuar një apel të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë kontrollet e rregullta për kancerin e gjirit
“Detektimi i hershëm shpëton jetë,” ka shkruar ajo, duke shtuar se falë këtij zbulimi të hershëm, trajtimi i saj ishte më i lehtë dhe më efektiv.
Kusari Lila përmbylli postimin e saj me një mesazh falenderimi për të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe mbështetëse, duke uruar shëndet dhe dashuri për të gjithë.