Kosova
Dera po mbyllet për Serbinë/ Vuçiç: Nëse Marrëveshja e Ohrit bëhet pjesë e negociatave me BE
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi që nuk mendon se është e mundur që Marrëveshja e Ohrit në tërësi të bëhet pjesë e Kapitullit 35 në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Bashkimit Europian, sepse në këtë mënyrë Unioni do mbyllte përfundimisht derën për Serbinë.
Lidhur me njoftimin se BE-ja do t’i kërkojë zyrtarisht Komisionit Evropian që detyrimet nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe aneksi për zbatimin e saj, të bëhen pjesë e negociatave të anëtarësimit, Vuçiç tha se ai do bëj të pamundurën që një vendim i tillë të mos ndodhë dhe se serbët nuk duhet të besojnë në lajme të tilla.
“Unë mendoj se nuk është e mundur që në tërësi, Marrëveshja e Ohrit të jetë pjesë e kapitullit 35 të negociatave Serbi – Bashkimi Europian, sepse kjo do ti mbyllte derën Serbisë.
“Nëse thoni se anëtarësimi i Kosovës në OKB do bëhet pjesë e atij kapitulli, atëherë është e qartë që ju nuk e doni Serbinë. Nuk besoj se është e mundur dhe nuk besoj se ata do marrin një vendim të tillë” – Deklaroi Vuçiç.
Në projekt-konkluzionet për samitin e dhjetorit të Këshillit Evropian, thuhet se “Këshilli i kërkon Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë Joseph Borrell, të propozojnë urgjentisht amendamentet e kritereve për kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë”.
Konkluzionet duhet të miratohen nga ministrat për çështjet evropiane në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 12 dhjetor dhe Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë atë vendim në samitin e 14 dhe 15 dhjetorit.
Liderët e Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq dhe Albin Kurti, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe më 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të atij dokumenti. Në ato dokumente thuhet se ato bëhen pjesë përbërëse e kuadrit të negociatave në procesin e anëtarësimit në BE dhe se mosrespektimi i detyrimeve që rrjedhin prej tij mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative në rrugën evropiane të secilës palë.