Kosova
Dëshirë apo realitet/ Zbulohet platforma e 2 majit
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se raundi i ardhshëm i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës më 2 maj në Bruksel, do t’i dedikohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Le të shkojmë me hapa më konkretë kur bëhet fjalë për formimin e Asociacionit, por jo ashtu siç dëshiron (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti, por sic është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve nga viti 2013 dhe 2015”, tha Petkoviq.
Hapi i parë, sipas tij, është që ekipi menaxhues të paraqesë draftin e statutit të Asociacionit, pasuar nga një diskutim i draftit të propozuar, i cili duhet të përmbajë të gjitha dispozitat e dakorduara në parimet e përgjithshme nga viti 2015.
“Kjo është ajo që ne do të insistojmë, kjo është ajo që është në frymën e marrëveshjes dhe për të cilën u morëm vesh në Ohër. Sigurisht që duhet të insistojmë në këtë, pa Asociacionin është thjesht e pamundur të flitet për diçka”, ka vlerësuar Petkoviq.