Connect with us

Kosova

Dështimi i Brukselit, reagime në Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk do të heqë dorë asnjëherë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë. Ajo gjithashtu ka kritikuar kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell për njëanshmëri.

“Ajo që pamë nga Joseph Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar” –  ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas takimit të pasuksesshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Në vend që të dëgjojë këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, Albin Kurti negocion me Serbinë në Bruksel!!! Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, ai krijon tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë”, – shkroi Hoti në rrjetet e tij sociale.

Edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas dështimit të takimit në Bruksel. Ai tha se BE duhet ta respektojë Kosovën minimalisht si shtet duke marrë pozicion neutral në negociata.Dialogu nuk mund të vazhdojnë përgjithmonë – ka deklaruar  ai.

Ish kryeministri Haradinaj I ka bërë thirrje Kryeministrit Kurti të pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë dhe palët të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!

Sipas analistit Blerim Latifi, në gjithë këtë lojë të ndyrë, Kurti ka bërë gabim katastrofal duke shpërfillur amerikanët dhe duke u besuar europianëve, të cilët sipas tij, kanë shfrytëzuar çarjen e Kurtit me amerikanët për ta poshtëruar edhe njëherë shtetin e Kosovës”

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka konsideruar zhgënjyese mosarritjen e marrëveshjes për çështjen e targave dhe u shpreh se aktualisht është shumë e nevojshme që të arrihet përparim drejt marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që mospajtimet, sikurse kjo e targave, të mos jenë të nevojshme.

Ndërkohë ligjvënësi amerikan, Ritchie Torres, ka thënë se është koha që Shtetet e Bashkuara të marrin rol më të madh në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, tensionet që pasuan mospajtimet për çështjen e targave të makinave, janë dëshmi e nevojës për përmbyllje të këtij procesi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka deklaruar se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Advertisement