Connect with us

Kronike

Dështon grabitja e karburantit/ Shkëmbim zjarri me policinë, plagoset njëri prej autorëve

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm (24 gusht) në autostradën Durrës–Tiranë, në zonën e Sukthit, ku dy persona u përfshinë në një përplasje të armatosur me Policinë.

Dy autorët kishin vjedhur një automjet më datë 20 gusht 2025, në zonën e Sektorit Rinia, Durrës, dhe e përdorën për të kryer një grabitje me dhunë në një karburant në Sukth, më 21 gusht, rreth orës 03:40.

Policia identifikoi automjetin e vjedhur dhe u vu në ndjekje të tij në orët e natës, rreth orës 01:00.

Gjatë ndjekjes, automjeti me shpejtësi të lartë doli nga rruga pranë rrethrrotullimit të mbikalimit në Vorë, në drejtim të Shijakut. Në këtë moment, nga brenda mjetit u qëllua me armë zjarri ndaj efektivëve të Policisë.

Policia u kundërpërgjigj në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ku si pasojë mbeti i plagosur Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, personi tjetër, Lorenc Çali, 27 vjeç, po ashtu banues në Bilalas, që rezistoi me armë ndaj Policisë, u neutralizua dhe u arrestua.

Policia gjeti në vendngjarje një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy të rinjtë.

Çfarë njofton policia

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.

Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur.

Advertisement