Bota
Dështon takimi në SHBA/ Trump nuk heq dorë nga Groenlanda, BE nis ushtrinë
Një delegacion nga Danimarka dhe Groenlanda u prit sot në Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti dëshirën e tij për të marrë kontrollin e ishullit të madh Arktik.
“Ne pajtohemi që nuk jemi dakord” – tha Rasmussen, duke vënë në dukje se “nuk arritëm të ndryshojmë mendjen e Amerikës “. Rasmussen njoftoi se Danimarka, Groenlanda dhe Shtetet e Bashkuara do të formonin një grup pune të nivelit të lartë për të vazhduar diskutimet.
Trump nuk mori pjesë në bisedime, por para se të fillonte takimi, ai shkroi në platformën Truth Social: SHBA-të “kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare, është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”.
Kjo ishte hera e parë që Trump e lidhi pushtimin e territorit autonom danez me planin kolosal amerikan të mbrojtjes nga raketat.
Gjatë bisedimeve, Shtëpia e Bardhë postoi një karikaturë në platformën X, me mbishkrimin: “Ku do shkosh Groenlanda?” Karikatura përshkruan dy qen që lëvizin me sajë dhe dy destinacionet e tyre të mundshme: Amerikën, të simbolizuar nga Shtëpia e Bardhë nën qiellin e kaltër të kthjellët dhe Kinën e Rusinë, të përfaqësuara nga Muri i Madh Kinez dhe Sheshi i Kuq, në errësirë.

Një sulm i SHBA-së ndaj Groenlandës, të cilin e dëshiron Donald Trump dhe ku Danimarka po forcon praninë e saj ushtarake, është “i pamundur”, tha sot ministri danez i Mbrojtjes, Trolls Lund Poulsen.
“Është një pyetje shumë hipotetike. Mendoj se nuk ka gjasa që një vend i NATO-s të sulmojë një vend tjetër të NATO-s”, – tha ministri në përgjigje të një pyetjeje të lidhur me këtë çështje.
Kopenhageni njoftoi se po vendos forca ushtarake “që nga sot” si pjesë e ushtrimeve në Groenlandë, gjë që përkthehet në një prani të shtuar ushtarake “në avionë, anije luftarake dhe ushtarë, përfshirë aleatët tanë të NATO-s”.
Suedia dhe Norvegjia njoftuan se do të dërgojnë oficerë në Groenlandë, me kërkesë të Danimarkës. “Shumë nga partnerët dhe aleatët tanë të NATO-s do të shkojnë në Groenlandë, ose sonte ose në ditët në vijim”, – sqaroi Ministri i Mbrojtjes, duke deklaruar se i takon secilit vend të njoftojë se çfarë do të bëjë.
Edhe Gjermania do të dërgojë forcë ushtarake në Groenlandë brenda javës, sipas gazetës gjermane Bild, pasi presidenti amerikan këmbënguli se SHBA-të duhet të fitojnë kontrollin e këtij ishulli strategjikisht të rëndësishëm, i cili është një territor autonom i Danimarkës.
Ushtarët e parë gjermanë mund të mbërrijnë në Groenlandë të enjten, sipas raportit të Bild, i cili citon burime qeveritare dhe parlamentare në Berlin.