Rajon
Destinacioni Ukraina? Duke rrezikuar zemërimin e Rusisë, Serbia miraton tranzitin e municioneve boshnjake
Më 12 qershor të këtij viti, Ministria e Brendshme e Serbisë miratoi tranzitin e 132 paletave mallrash nga Bosnja dhe Hercegovina, duke u dhënë atyre leje për të hyrë përmes një pike të vogël kufitare në fshatin Sremska Raca, pranë lumit Sava. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN, paletat do të përmbanin predha artilerie 155-milimetërshe, gjithsej 960; kamionët do të udhëtonin drejt veriut për të hyrë në Hungari nëpërmjet pikës kufitare të Horgosit. Dërgesa ishte porositur nga kompania çeke e mbrojtjes dhe industrisë ajrore Omnipol a.s., një nga pesë firmat që, sipas raporteve, janë përzgjedhur nga shteti çek për të furnizuar ushtrinë ukrainase me predha artilerie; sipas mediave, predhat 155mm janë më të kërkuarat nga Ukraina, teksa lufta e saj kundër forcave pushtuese ruse vazhdon.
Megjithatë, rruga që duhej të ndiqnin kamionët po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme.
Në fund të majit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, SVR, e dënoi ashpër Serbinë për kanalizimin indirekt të municioneve të prodhuara në Serbi drejt Ukrainës, duke akuzuar prodhuesit serbë “dhe mbështetësit e tyre” se kërkojnë të “përfitojnë nga gjaku i popujve vëllezër sllavë”. Deklarata e SVR-së përfaqësonte një kritikë publike të pazakontë ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili, të paktën publikisht, ka refuzuar të marrë anë në konflikt. Edhe pse thekson se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, Vuçiç ka refuzuar të harmonizohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, duke qenë i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të rrezikonte të largonte mbështetësit e tij më nacionalistë.
Por pas skenave, predhat dhe plumbat e prodhuar në Serbi kanë gjetur rrugë për në Kiev, përmes ndërmjetësve dhe certifikatave të “përdoruesit përfundimtar” që tregojnë një destinacion tjetër. Vuçiç e pranoi këtë në një intervistë për Financial Times në qershorin e vitit të kaluar. Tani, BIRN mundi të zbulojë se Serbia po lejon gjithashtu që municionet e prodhuara jashtë vendit të kalojnë përmes territorit të saj drejt shteteve dhe kompanive që dihet se furnizojnë ushtrinë ukrainase, duke minuar më tej pretendimin e Vuçiçit për një lidhje të pathyeshme me Moskën, në një kohë protestash të paprecedenta kundër sundimit të tij 13-vjeçar.
Ky tranzit përbën një hallkë të vogël në një zinxhir të gjerë që e ka mbajtur Ukrainën të furnizuar me predha artilerie dhe plumba, në këtë rast nga një fabrikë me shumicë shtetërore në Bosnje dhe një partner amerikan me peshë, deri te një firmë me bazë në Pragë që është në vijën e parë të një nisme të udhëhequr nga Çekia për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. “Provat publike që Serbia po mundëson dërgimin e municioneve drejt Ukrainës dhe paralajmërimet nga Rusia nuk janë të mira për ruajtjen e imazhit që Vuçiç ka ndërtuar për veten gjatë viteve”, tha Vuk Vuksanoviç, hulumtues i lartë në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd, BCBP.
Që Serbia ka ndihmuar në furnizimin e përpjekjeve luftarake të Ukrainës ka qenë prej kohësh një sekret publik: në shkurt 2023, një vit pas fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë, media ruse Mash raportoi për përdorimin nga ushtria ukrainase të raketave serbe Grad 122mm; disa javë më vonë, Reuters raportoi për një dokument të klasifikuar të rrjedhur të Pentagonit – vërtetësia e të cilit nuk u mund të verifikohej në mënyrë të pavarur – që tregonte se Serbia kishte rënë dakord të furnizonte me armë Kievin ose i kishte dërguar ato tashmë; pastaj, në qershor të vitit të kaluar, Financial Times zbuloi se që nga viti 2022, prodhuesit serbë kishin eksportuar municione në vlerë prej rreth 800 milionë eurosh drejt vendeve perëndimore, të cilat më pas përfundonin në Ukrainë përmes vendeve të treta.
Duke u shkëputur nga një politikë e gjatë mohimi zyrtar, Vuçiç i tha FT-së: “Nuk mund të eksportojmë në Ukrainë apo në Rusi… por kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë, të tjerë. Se çfarë bëjnë ata me to në fund, kjo është puna e tyre. (…) Edhe nëse e di se ku përfundojnë municionet, kjo s’është puna ime.”
Gjithçka ndryshoi më 23 qershor të këtij viti, kur Vuçiç njoftoi ndalimin e të gjitha eksporteve të armëve dhe municioneve.
Disa e panë këtë si përgjigje ndaj reagimit ndërkombëtar mbi operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë, të cilat janë mbështetur ndjeshëm nga furnizime armësh serbe. Por njoftimi erdhi të njëjtën ditë me një tjetër deklaratë bombastike nga SVR-ja ruse, e cila tha se lidhjet tradicionale midis Serbisë dhe Rusisë po “minoheshin nga lakmia dhe oportunizmi frikacak shumëdrejtimësh”, nga prodhues serbë të armëve që e dinin shumë mirë se “raketat dhe predhat do të përdoren për të vrarë ushtarë dhe civilë rusë në vendbanime ruse”.
I zhgënjyer nga afërsia e fshehtë e Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, Vuksanoviç tha se Rusia kishte vendosur ta godiste Vuçiçin në një moment dobësie, ndërkohë që ai po përballej me protesta të drejtuara nga studentët që kërkonin zgjedhje të parakohshme.
“Rusët panë që Vuçiç po afrohej shumë me administratën Trump”, tha ai për BIRN. “Ata shohin që ai është gjithashtu i plagosur nga problemet e brendshme, ndaj mund ta përdorin këtë për ta turpëruar para votuesve të tij dhe për të reduktuar dërgesat drejt Ukrainës.”
Megjithatë, mesazhi i parë i zemëruar i Rusisë ndaj Serbisë nuk e pengoi Beogradin të miratonte tranzitin e municioneve të prodhuara diku tjetër drejt aleatëve të Ukrainës.
Më 12 qershor, rreth dy javë pas paralajmërimit të parë të Rusisë, Ministria e Brendshme e Serbisë, pas miratimit të dhënë nga ministritë e mbrojtjes dhe punëve të jashtme, dha dritën jeshile për tranzitin e 960 predhave artilerie HE M107 të prodhuara në Bosnje, sipas dokumenteve përfundimtare të miratimit të siguruara nga BIRN.
Leja u dha për periudhën nga 12 qershori deri më 11 korrik, përmes pikës kufitare të Sremska Racës dhe përgjatë autostradave E70 dhe E-75 drejt veriut për në Hungari.
Dokumentet specifikojnë “përdoruesin përfundimtar” – përdoruesin përfundimtar të produktit – si Ministrinë e Mbrojtjes së Çekisë, një nga furnizuesit kryesorë të armëve dhe municioneve për Ukrainën.
Nga Bosnja, përmes Serbisë
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, predhat e artilerisë janë shitur nga kompania Podin d.o.o., me seli në qytetin e vogël të Grudës, në jugperëndim të Bosnjës.
Podin d.o.o. është e regjistruar si një kompani që merret me pasuri të paluajtshme, por zotëron gjithashtu një licencë për eksportin e pajisjeve ushtarake.
Ekspertët e armëve thonë se një predhë artilerie 155mm HE M107 kushton midis 2,000 dhe 3,500 euro, nëse blerësi është i gatshëm të presë.
“Nëse e dëshiron menjëherë, çmimi mund të shkojë nga pesë deri në tetë mijë euro”, tha për BIRN eksperti i teknologjisë mbrojtëse me seli në Sarajevë, Berko Zeceviç.
Identiteti i prodhuesit mbetet i paqartë, po ashtu edhe arsyeja pse një firmë nga një qytet i vogël, e regjistruar kryesisht si ndërmjetëse në pasuri të paluajtshme, ka vepruar si ndërmjetëse në këtë transaksion.
Dokumentet e tranzitit të siguruara nga BIRN tregojnë vetëm se përmbajtja e dërgesës është “e prodhuar në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Nëse predhat nuk vijnë nga rezervat boshnjake, burime të industrisë së armëve thonë se prodhuesi më i mundshëm është Pretis – një fabrikë e themeluar fillimisht kur Bosnja ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste dhe e vetmja prodhuese boshnjake e predhave 155mm si produkt i plotë, jo vetëm në pjesë.
Pretis ndodhet në Vogoca, një periferi e kryeqytetit Sarajevë, vetëm 1.5 kilometra larg nga Bucan transport d.o.o., një nga kompanitë transportuese të listuara në dokumentet e tranzitit që bartnin predhat nëpërmjet Serbisë.
Sipas portalit informativ boshnjak Klix.ba, Republika Çeke ka importuar më shumë se 30,000 predha artilerie nga Pretis. Edhe pse Pretis është në pronësi me shumicë të shtetit të Bosnjës, kompania amerikane e armëve Regulus Global, e cila ka siguruar armë dhe municione për Ukrainën dhe më parë për Sirinë, zotëron 41.5 për qind të aksioneve përmes një kompanie offshore dhe ka propozuar së fundmi një investim prej 100 milionë dollarësh për përmirësimin e fabrikës.
Regulus zotëron gjithashtu 25.7 për qind të aksioneve në një tjetër prodhues boshnjak armësh, Binas d.d., dhe drejtori ekzekutiv i Regulus, Joe Wallis, i tha Al Jazeera Balkans në korrik: “E shohim këtë si një mundësi për të ndërtuar diçka që i shërben nevojave të mbrojtjes evropiane dhe njëkohësisht ndihmon rritjen ekonomike në Bosnje dhe Hercegovinë.”
Me luftën e Rusisë në Ukrainë, Wallis tha se artileria “është rikthyer në qendër” të luftës moderne.
“Dhe me Rusinë që qëllon kaq shumë predha – mijëra predha në ditë – kjo ushtron një presion të madh mbi rezervat perëndimore dhe gjithashtu zbulon dobësitë reale në zinxhirin e furnizimit”, tha ai për AJB.
Regulus thotë se ka dorëzuar “më shumë se 100,000” predha artilerie 155mm në Ukrainë, megjithëse është e përfshirë në një mosmarrëveshje gjyqësore në Londër mbi një kontratë prej 1.7 miliardë dollarësh për shitjen e këtyre predhave qeverisë ukrainase, sipas një raporti të FT-së në maj.
As Podin dhe as Pretis nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Nisma çeke për municione
Ashtu si Serbia, Bosnja nuk eksporton armë apo municione drejtpërdrejt në Ukrainë, për shkak të kundërshtimit nga serbët e Bosnjës të udhëhequr nga politikani pro-rus Milorad Dodik, president i entitetit të Republikës Srpska, të populluar kryesisht nga serbë.
Në vend të kësaj, municionet e prodhuara në Bosnje shiten në vendet anëtare të NATO-s, veçanërisht në Republikën Çeke, e cila ka marrë drejtimin e nismës çeke për municionet për Ukrainën, e nisur në shkurt 2024 si një koalicion shtetesh të angazhuara për të mbajtur të furnizuar Ukrainën me municione, në përgjigje të ngadalësimit të ndihmës ushtarake amerikane.
Sipas Biznis.info, eksportet e sektorit të mbrojtjes të Bosnjës u rritën ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, me Republikën Çeke si blerësin më të madh pas Shteteve të Bashkuara.
Në kuadër të kësaj nisme për artileri, Omnipol raportohet të jetë një nga pesë kompanitë çeke që kanë marrë të drejtën ekskluzive për të ndërmjetësuar kontrata municionesh, megjithëse kritikët kanë vënë në pikëpyetje transparencën e projektit në mes të raportimeve se disa nga firmat kanë lidhje me zyrtarë qeveritarë dhe po aplikojnë komisione shumë më të larta se ndërmjetësit shtetërorë ukrainas.
Megjithatë, presidenti çek Petr Pavel njoftoi në shkurt të këtij viti se nisma e udhëhequr nga Praga kishte dorëzuar 1.6 milionë predha në Ukrainë.
Zexeviç tha se Bosnja nuk mund të fajësohet për faktin që municionet e saj po përfundonin në Ukrainë, pavarësisht se certifikata e “përdoruesit përfundimtar” liston Ministrinë e Mbrojtjes së Çekisë si destinacionin final.
“Këto lloj marrëveshjesh janë të koordinuara nga pjesa evropiane e NATO-s”, tha Zeceviç për BIRN.