Aktualitet
DETAJE nga dhuna për guroret/ Bilbil dhe Jashar Maja, kryetar të grupseksionit të PD në Borizanë
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me sherrin e dhunshëm të një ditë më parë, në një lokal në Borizanë të Krujës. Pjesëtarë të fisit Rraja dhunuan dhe goditën me sende të forta dy vëllezërit Bilbil dhe Jashar Maja, duke i lënë pa ndjenja.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbulon se Bilbil dhe Jashar Maja janë kryetarë të grupseksionit të Partisë Demokratike në Borizanë. Sherri ndodhi pas konfliktit mes palëve, pasi vëllezërit Maja ishin ankuar për guroren, sepse shpërthimet u krijonin shqetësime në banesat e tyre.
Berisha ndër të tjera sqaron se Xhelal dhe Flamur Rraja, vëllezërit e deputetit Rrahman Rraja, ushtruan dhunë ndaj dy qytetarëve të pafajshëm. Dy vëllezërit e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, Xhelal e Flamur Raja, dhe djali i këtij të fundit, kanë dhunuar me shkopa bejsbolli dhe kanë kërcënuar me pistoletë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët janë mbështetës të së djathtës.
Gurorja e cila u kthye në ‘mollë sherri’ për dhunimin barbar të dy kushërinjve në Krujë nga fisi Rraja, ndodhet rreth 100 metra larg nga banesa e të plagosurve, Jashar dhe Bilbil Maja. Shpërthimet e minave prej kohësh kanë shqetësuar banorët e fshatit Borizanë, të cilët kanë denoncuar administratorët e kësaj guroreje, pasi janë shkaktuar plasaritje tek banesat./dosja.al