Kronike
Detaje nga vrasja e Gentjan Bejtjas, në banesë ka qenë edhe bashkëshortja
Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi me breshëri kallashnikovi të ish-policit të burgjeve, Gentjan Bejtja ditën e djeshme (15 mars) pranë banesës së tij.
Burimet bëjnë me dije se vrasja e tij është kryer nga dy persona, të cilët mësohet se i kanë hyrë drejt e në shtëpi, dhe më pas e kanë vrarë me breshëri kallashnikovi.
Po ashtu, bëhet me dije se në banesë ka qenë prezente edhe bashkëshortja e Gentjan Bejtjas.
Ndër të tjera, raportohet se është gjetur dhe një makinë e djegur pranë vendit ku dyshohet se është ekzekutuar Bejtja.
Sakaq, mësohet se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Atentati ku mbeti i vrarë Ramazan Sino
“Ramazan Sino ka qenë Tiranë me motrën e tij A.B, e cila është bashkëshortja e Gentian Bejtjes, si dhe dy nipat e mitur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipin, ata kanë udhëtuar me automjetin Audi me targë AA700XH, në drejtim të fshatit Larushk.
Pasi kanë mbërritur në banesë, kur po zbrisnin nga automjeti, para hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre, ku ka gjetur vdekjen Ramazan Sino, si dhe janë plagosur dy nipat e tij.
I dyshuar për këtë ngjarje ka qenë Valter Bami, i cili u la në burg për afat nga Gjykata e Tiranës. Ai dyshohet se kreu atentatin në Larushk të Krujës më 4 korrik, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati Ramazan Sino.
Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe 3 atentateve
Gentjan Bejtja është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Gentjan Bejtja u qëllua me armë zjarri së bashku me shtetasin Klodian Stafuka mbrëmjen e 9 Janarit 2022.
Ata janë qëlluar teksa lëviznin me makinë pranë shkollës së fshatit Larushk në zonën e Fushë Krujës, ndërsa Bejtja mbeti i plagosur në krah.
Në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, me targë “AA 020 BH”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.
Ai arriti t’i shpëtonte atentatit për shkak të sasisë së vogël të eksplozivit të vendosur, çka më pas, hetuesit e cilësuan si një paralajmërim.
Po ashtu ai i shpëtoi edhe atentatit ku iu vra kunati, Ramazan Sino dhe iu plagosën dy fëmijët e mitur.
Gjithashtu, Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013.
Enver Stafuka rezulton i zhdukur prej 8 vitesh. Ai u rrëmbye jashtë ambienteve të një lokali dhe s’dihet asgjë për fatin e tij.