Kronike
Detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Itali, viktima i kafshoi veshin autorit (DINAMIKA)

Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë në Fontanafredda, Itali, ku u vra me armë zjarri 43-vjeçari Vladimir Topjana, duke parë ndeshjen e futbollit me të birin. Mësohet se, Topjana ishte në lokal dhe me makinë mbërriten dy burra, Pren dhe Rogert Shota, babë e bir. Mes tyre ka ndodhur një konflikt, që ka përfunduar në dhunë fizike, gjatë të cilit Topjana kafshoi veshin e autorit, duke i këputur një pjesë të tij.
Pas kësaj dyshohet se 34-vjeçari, Rogert Shota ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë bashkëatdhetarin e tij, duke e lënë të vdekur në vend, pasi një plumb e ka prekur në kokë. Deri më tani, nuk ka ende detaje se përse ka ndodhur debati i rëndë mes tyre. Bëhet me dije se klientët dhe punonjësit e lokalit po merren në pyetje, pasi dëshmia e tyre është thelbësore në zbardhjen e ngjarjes.
Vladimir Topjana, kishte dalë për të parë ndeshjen Roma-Juventus në një lokal, së bashku me djalin e tij 17-vjeçar. Autori i dyshuar, Rogert Shota, mbërriti pranë lokalit me një “Audi” dhe në debat e sipër me Topjanën, e ka qëlluar me armë zjarri. Babë e bir u larguan pas krimit, por u arrestuan pas disa orësh nga autoritetet italiane. Ata akuzohen për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

