Kronike
Detajet nga vrasja në Durrës/ Ermir Dedja, shok i “të fortit” të Shijakut, që kërkohet nga SPAK

Vrasja 29-vjeçarit Ermir Dedja në mesnatën e 20 Majit në Durrës, ka shtyrë policinë e këtij qyteti të drejtojë hetimet rreth përplasjeve të bandave kriminale në qytetin bregdetar.
Viktima Ermir Dedja ka një të kaluar me precedentë penalë, teksa “Ora News” raporton se për Policinë e qytetit, ai njihet si shok i ngushtë i një personazhi të botës së krimit në Shijak me inicialet A.A, që tashmë rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Sipas të dhënave që ka mbledhur policia e Durrësit, Dedja rezulton i dënuar disa herë nga gjykata e Durrësit për akuzën e plagosjes si dhe prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Pikërisht tregtia e drogës mes grupeve kriminale në Durrës, është pista kryesore ku është fokusuar policia, e cila deri në mesditën e sotme nuk ka pasur asnjë person të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë.
Në momentin e vrasjes viktima Ermir Dedja, ka qenë në ambientet e një lokali në Durrës, ku një person i vetëm ka qëlluar me automatik nga një makinë e bardhë, duke e lënë të vdekur në vend.
Të pranishmit që ndodheshin me Dedjan janë larguar të shokuar nga skena e krimit, ndërsa disa orë më vonë ata janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia, duke dhënë shpjegime për atë që kishin arritur të shikonin.
Pas vrasjes makina, me të cilën lëviznin dy autorët është larguar qetësisht, ndërsa rreth 7 orë më vonë mjeti në fjalë u gjend e djegur plotësisht në zonën e fshatit Gërdec të Tiranës.
Aktualisht, Policia dhe Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar disa gëzhoja automatiku, pamje filmike dhe administruar disa dëshmi, por asgjë nuk ka shërbyer për identifikimin e autorëve të këtij krimit të rëndë.

