Rajon
Dhia dhe briri/ Serbët përplasen me njëri-tjetrin
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, i ka reaguar ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremic, i cili ka thënë se me marrëveshjen e fundit Serbia është pajtuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Dhe ja ku është pasoja, thuhet shprehimisht se në bazë të kësaj Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Nëse dhia gënjen, briri jo”, – ka shkruar Jeremic, teksa ka publikuar tekstin ku në kërkesën për pranimin e aplikimit të Kosovës në KiE, përmendet edhe marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi.
Petkovic i ka reaguar atij duke i thënë se Vuçic nuk ka pranuar e as nënshkruar asgjë dhe kështu Jeremic po dëmton vendin e tij dhe ndihmon Kosovën.
“Përderisa Vuçiç mbron interesat e Serbisë dhe thotë qartë se nuk ka pranuar e as ka nënshkruar asgjë, Vuk Jeremic po përpiqet që konceptet nga Brukseli dhe Ohri t’i bëjë dokumente ligjërisht të detyrueshme. Duke vepruar kështu, ai po dëmton vendin e tij, por ne tashmë jemi mësuar me këtë kur ai i bëri Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë atë pyetjen e tmerrshme!”, ka shkruar Petkovic.