Bota
Dhjetëra të plagosur nga dy zjarre, arrestohet 41-vjeçari sirian që i ndezi
Një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ndezi dy zjarre në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Essen, që lanë 30 të plagosur.
Shërbimet e urgjencës u alarmuan për dy zjarre në ndërtesa banimi radhazi pak pas orës 17:00 të së shtunës, tha policia. Personat e plagosur ishin tetë fëmijë të cilët u lënduan rëndë, dhe dy prej tyre ishin në gjendje të rrezikshme për jetën pasi thithën tym.
Shërbimi zjarrfikës tha se, kur mbërriti në vendin e zjarrit të parë, nga hyrja e ndërtesës dilte tym dhe njerëzit po bënin thirrje për ndihmë nga dritaret. Fqinjët kishin ngritur shkallë për të ndihmuar njerëzit të shpëtonin, por ato nuk ishin aq të gjata për të arritur në katet e sipërme.
Menjëherë pas shpërthimit të zjarreve, një furgon hyri në dy dyqane në qytet, duke shkaktuar dëme materiale, por pa të lënduar. Më pas i dyshuari dyshohet se i kërcënoi njerëzit me armë, por disa burra arritën ta shtyjnë atë dhe ta mbajnë derisa të mbërrinte policia.
Policia tha se i dyshuari ishte një 41-vjeçar banues në Essen me nënshtetësi siriane. Ata thanë se po hetonin një motiv të mundshëm.
Sipas agjencisë gjermane të shtypit, avokati i burrit Volker Schröder tha se ai nuk kishte asnjë motiv politik dhe se ishte një “histori thjesht tragjike familjare. Një luftë kundër gruas së tij për fëmijët – dhe ndoshta një çrregullim mendor”.