Aktualitet
Dhuna ndaj kamarierit 18-vjeçar në Vlorë, avokati i oficerit: S’është e vërtetë që polici qëlloi

Avokati mbrojtës i oficerit të pezulluar Ardian Isufi, Kujtim Cakrani, thotë se nuk është klienti i tij personi që goditi kamerierin 18-vjeçar në Vlorë. Cakrani tha për mediat se Isudi vetëm e ka shtyrë kamerierin, ndërsa personi që e goditi në fytyrë është shoku i tij, Leart Bimo. Gjithashtu Cakrani kërkon të zbardhet ngjarja dhe sipas tij duhet të merren të plota videot e kamerave të sigurisë.
“Polici ishte aty, me një shokë, konsumuan diçka, por s’është e vërtetë që polici qëlloi. Ai mund të mbajë përgjegjësi që e ka goditur shoku dhe duhet ta ndalonte. Polici e ka shtyrë dhe ka ikur, ka shkuar dhe e ka goditur ai tjetri. Policia ta hetojë ngjarjen, të marrë videot të shohë si ka ndodhur ngjarja dhe të zbulojë çka ndodhur. Dënoj çdo akt dhune por ngjarja duhet zbardhur se polici s’duhet të mbajë baltën e hedhur. Kush ka dhunuar policin do mbajë përgjegjësi, edhe ai që ka goditur kamerierin do mbajë përgjegjësi”, shprehet Cakrani.
Si ndodhi ngjarja?
Një episod dhune i paprecedentë është regjistruar në ambientet e një hoteli në Vlorë. Një kamarier, 18-vjeç është dhunuar nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person tjetër që rezulton me të kaluar kriminale.
Oficeri Ardian Isufi dhe Leart Bino kanë nisur t’i kërkojnë llogari kamarierit, pse kishte sjellë në tavolinën e një shishe uji më tepër se sa ishte porositur. Isufi, ish-shefi i qarkullimit në Vlorë, është i pari që e prek kamarierin, ndërsa Bino, një person me precedentë penalë, ka nisur më pas ta godasë disa herë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe Policia e Shteti, ku është njoftuar se Ardian Isufi është pezulluar nga detyra si oficer i Policisë Kufitare në Dibër. Në njoftimin e Policisë së Shtetit, thuhet se Isufi, teksa ishte jashtë shërbimit kur u përfshi një episodin e dhunës në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë.
Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe një 53-vjeçar, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe një person tjetër. Aktualisht, Isufi ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

