Kosova
Dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, aktakuzë kundër një të dyshuari
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet C.K., i nacionalitetit serb, nën dyshimet për kryerje të veprës penale, krim i luftës kundër popullsisë civile.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri ka kryer dhunë seksuale ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar, në periudhën e luftës në Kosovë, 1998-1999.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë, pasi i pandehuri është i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Prokuroria Speciale ka ngritur një varg aktakuzash tjera në mungesë edhe në fund të dhjetorit, kryesisht për krime të kryera gjatë luftës në Kosovës.
Gjykimi në mungesë, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Drejtësisë në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë javë më parë se, institucionet e Kosovës, me shumë gjasë, bazuar në ligjet në fuqi, do të lëshojnë fletarrestime të kuqe të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol) për personat që janë dënuar në mungesë për krime lufte.
Më 26 dhjetor të vitit që lamë pas, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin, për akuzën krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera nga janari deri në maj të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatrat Reçak, Malopolc dhe Petrovë.
Ky është vendimi i parë për krime lufte i marrë në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës me pyetjen nëse është kërkuar lëshimi i ndonjë fletarrestimit të kuq për Aksiqin para gjykimit, dhe nëse do ta bëjë tani pas vendimit, por nuk ka marrë përgjigje.
Kosova nuk është anëtare e Interpolit, prandaj fletarrestimet lëshohen me ndërmjetësimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)./ REL