Connect with us

Aktualitet

Dhunoi qytetarin, shkarkohet shefi i komisariatit të Pukës

Shefi i Komisariatit të Pukës, Pjerin Lazri është shkarkuar nga detyra dhe përjashtuar nga Policia e Shtetit. Pas publikimit të videos ku Lazri dhunonte një qytetar, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mori vendimin për shkarkimin dhe përjashtimin nga rradhët e Policisë së Shtetit për shefin e Komisariatit të Policisë Pukë.

Sipas policisë, masat u morën për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe të komunikimit dhe për tejkalim të kompetencave, duke abuzuar rëndë me atributet që i jep ligji dhe detyra.

Reagim i Policisë së Shtetit

Mbi rastin e transmetuar pak minuta më parë, në emisionin investigativ ”Stop”, në të cilin shfaqet shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, shtetasi P. L., duke shkelur Kodin e Etikës dhe të komunikimit, si dhe duke goditur një shtetas, sqarojmë opinionin publik se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sapo është njohur me rastin, ka shkarkuar nga detyra dhe ka përjashtuar menjëherë, nga rradhët e Policisë së Shtetit, shefin e Komisariatit të Policisë Pukë, për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe të komunikimit dhe për tejkalim të kompetencave, duke abuzuar rëndë me atributet që i jep ligji dhe detyra.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garanton qytetarët se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit ndaj kujtdo punonjësi policie që shpërdoron detyrën dhe që abuzon rëndë me uniformën e shenjtë të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe si e tillë nuk mund të kenë vend në radhët e saj, punonjës policie që me veprimet e tyre abuzive shkelin liritë e të drejtat e qytetarëve dhe cënojnë besimin e mbështetjen e tyre, për mijëra burra, gra, djem dhe vajza të Policisë së Shtetit që përballen përditë me krimin dhe që punojnë e sakrifikojnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Advertisement