Kosova
Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternative, nëse ka vullnet për të gjetur zgjidhje

Kancelari i Austrisë, Christian Stocker, tha se sipas këndvështrimit të Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë, nëse ka vullnet për të gjetur zgjidhje.
Ai shprehu bindjen se zgjidhja duhet të jetë e tillë që “njerëzit në këtë zonë të rajonit të mund të bashkëjetojnë në paqe, sado e vështirë të duket kjo në këtë moment”.
Sipas tij, kjo çështje do të duhet të zgjidhet gjatë rrugëtimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se mirëpret çdo masë që do t’i rikthejë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e bisedimeve.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vlerësoi Austrinë si “vend shumë të rëndësishëm” për shtetin e tij, duke shtuar se Vjena gjithmonë e ka ndihmuar Beogradin në rrugën evropiane.
Kancelari Stocker, gjatë konferencës për media me Vuçiqin, po ashtu shprehu mbështetje për rrugëtimin evropian të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, teksa kërkoi që rajoni të mbrohet nga përpjekjet destabilizuese.
Ai tha se rruga drejt BE-së nuk është një rrugë njëkahëshe dhe se sundimi i ligjit, si një nga vlerat qendrore të BE-së, është një nga parametrat për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kancelari austriak tha se shenja e angazhimit ndaj vlerave të BE-së duhet të jetë e dukshme edhe në politikën e jashtme, ku Serbia ka një shkallë të përafrimit prej rreth 60 për qind, pasi Beogradi shmang të harmonizohet me masat kundër Rusisë dhe Kinës.

