Rajon
Dialogu Kosovë-Serbi/ Petkoviç: Arritëm dakordësi për…
Takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka përfunduar në orët e vona të pasditës të së martës, 4 prill, në Bruksel.
Pas takimit, Petkoviç tha se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosvës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petkoviç.
Petkoviç tha se është biseduar edhe për formimin e Asociacionit me shumicë serbe.
“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.
Ai tha se ka pasur bisedime edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit, ndërsa shtoi se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.
“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai.
Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.
Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviçin, i dërguari evropian shkroi në Twitter se veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për “çështjet aktuale urgjente”.
Bislimi, i cili ka udhëtuar dje drejt Brukselit, ka takuar sot edhe komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Komisionari evropian shkroi në Twitter se kanë biseduar për agjendën e reformave evropiane dhe për opsionet se si do të mund të ndihmoj Komisioni Evropian në implementimin e atyre që janë arritur në dialog, që ky të jetë i suksesshëm.
Ndërsa në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës u tha se, gjatë takimit, Bislimi theksoi përkushtimin e Kosovës “për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian”.
BE-ja tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.
Unioni e ka quajtur marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit. Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përseritjes s tensioneve.
Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.
Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL