Connect with us

Kosova

Dialogu/ Miratohet deklarata për të zhdukurit nga lufta në Kosovë

Pak më parë ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Të pranishëm në takim janë i dërguari special i BE në lidhje me dialogun Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i unionit për politikën e jashtme dhe sigurinë Josep Borrell.

Raportohet se Kurti, dhe Vuçiç, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin.

 

 

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

Kujtojmë se përpara nisjes së takimit, presidenti Vuçic u shpreh se Albin Kurti po udhëheq një fushatë kundër Serbisë.

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë nga Perëndimi. Megjithatë, në anën tonë është drejtësia. Është më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë sesa e fuqishme është dashuria për liri dhe sa fort duhet të ruhet, pavarësisht presioneve”, shtoi presidenti serb.

Ndërkohë, Kurti përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më parë, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiçit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

Advertisement