Shkrime
Dilaogu Kosovë – Serbi/ Niveli i besimit mespalëve, zero
Pajtimi i arritur më 27 shkurt në Bruksel mes të Kosovës dhe Serbisë për planin franko-gjerman është konsideruar një hap shumë i rëndësishëm nga Bashkimi Evropian. Në këtë periudhë kohore deri më 18 mars kur edhe pritet të zhvillohet takimi i dytë, Lajcak ka kërkuar nga palët që të kursehen nga deklaratat në publik me qëllim të ruajtjes së atmosferës pozitive.
Këtë emisari sllovak e ka thënë kur është pyetur për deklaratën e Aleksander Vuçic se Serbia nuk do ta lejojë Kosovën që të anëtarësohet në OKB dhe për reagimin që ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë Lajcak ka thënë se s’është punë e tij që të komentoj deklarimet e liderëve, por që të punojë për përgatitjen e takimit të radhës.
“Për këtë arsye do të udhëtojë së shpejti në Prishtinë dhe Beograd”, ka treguar Lajcak.
Përfaqësuesi Special i BE-së ka thënë se synimi i Brukselit është që Kosova dhe Serbia të pajtohen për aneksin e implementimit të propozimit franko-gjerman.
Ai ka thënë se për këtë arsye i kërkojnë Prishtinës dhe Beogradit që të përgatisin propozimet e tyre “realistike dhe konstruktive” të bazuara në dokumentin që BE-ja ua ka dorëzuar gjatë dhjetorit të kaluar.
Lajcak ka thënë se kjo do të jetë edhe tema e diskutimeve që do të ketë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd.
Ai ka deklaruar se s’është sekret që të thuhet se niveli i besimit në mes të palëve është shumë i vogël, dhe se Kosova dhe Serbia kërkojnë garanci që të marrin atë çfarë iu është premtuar nëse e japin atë çfarë iu është kërkuar.
“Kjo është logjike për momentin e ndjeshëm dhe rëndësinë e kësaj çështje”, eshte shprehur Lajcak, i cili mendon se nëse arrihet npajtim edhe për aneksin e implementimit, atëherë kjo do të nënkuptojë normalizim jo vetëm për palët por edhe për rajonin.
Ish-kryediplomati i Sllovakisë ka thënë se do të publikohet edhe aneksi i implementimit nëse palët do të arrijnë pajtim mbi të në takimin e radhës.
Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani pritet që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët të tregojnë angazhim politik.