Bota
Diplomatët perëndimorë diskutojnë armëpushimin pas ofertës së papritur të Trumpit për Ukrainën

Një ofertë e papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 12 maj, për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Stamboll, ka nxitur bisedë mes diplomatëve amerikanë dhe evropianë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë një rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme më 15 maj.
“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten”, tha Trump. “Kam aq shumë takime… Ndoshta do të jem atje, nëse e shoh që mund të ndodhë diçka”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi më vonë, më 12 maj, një bisedë telefonike me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Ukrainës dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit, përmes zëdhënëses Tammy Bruce.
“Udhëheqësit diskutuan për hapat e mëtejshëm drejt një armëpushimi dhe rrugës për paqe në Ukrainë”, tha Bruce.

