Connect with us

OPINION

Disa të vërteta troç që duhen thënë

Nga Arian Galdini
Së pari, Ramiza Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin dy njerëzit e ligj që përveçse trashëguan pushtetin e diktaturës mizore të Enver Hoxhës, ia dolën edhe ta mbrojnë trashëgiminë e fuqisë dhe kontrollit të tyre edhe pas vitit 1990.
Kur Muri i Berlinit ra dhe e gjithë Bota e kuptoi se komunizmi nuk mbante dot më, sidomos në Europë, Ramizi me Nexhmijen nxituan të na përgatisnin ndryshimin e rregjimit duke mos ndryshuar dorën e kontrollit.
Fillimisht nëpërmjet bijve të komunistëve morën nën kontroll Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, e paskëtaj nëpërmjet Sigurimit, Bashkimeve Profesionale dhe vetë komunistëve, morën nën kontroll pluralizmin politik.
Dikur një mik i mençur më tha: A e di se përse PS është më metodike dhe më kompakte se PD?
Sepse PS-në komunistët e mbajtën krejt për vete, ndërsa PD-e krijuan me Bashkimet Profesionale dhe komunistët arrivistë.
Së dyti, patëm një moment lirie gjithësesi, kur ra rregjimi komunist.
Por pluralizmi i partive të bijëve dhe bijave të Ramizit dhe Nexhmijes, na e mori dhe ngushtoi derisa na e tjetërsoi gradualisht atë liri.
Së treti, Sigurimi i Shtetit, Kapterat apo Ish – Ushtarakët me Grada të Ulëta dhe Drejtoritë e Tregëtisë dhe Sekretarët e Rinisë, morën nën kontroll ekonominë, tregëtinë, financat dhe mediat e vendit.
Kryesisht dhe përgjithësisht, sipërmarrësit e suksesshëm të këtyre 33 viteve janë nga këto kategori.
Së katërti, kontigjenti kriminal i Policisë dhe Sigurimit, u shndërrua edhe në botën e re kriminale të pas 1990. Pjesa më e madhe e kriminelëve apo të fortëve dhe bandave që kemi patur e ende kemi në këto 33 vite janë nga ky kontigjent dhe nga ky burim kontrolli.
Prandaj kur shohim sot pas 33 vitesh këtë simbiozë mes Politikës, Oligarkëve, Mediave dhe Krimit të Organizuar, nuk kemi pse të habitemi. Janë bashkë sepse kanë të njëjtin burim kontrolli.
Së pesti, plani i tyre, qartazi është që për të ruajtur kontrollin, të mbeten gjithmonë 2 parti në lojë. E treta e lejuar është gjithësesi një parti që e kanë krijuar dinamikat e pazaret e reja të dala rrugës.
Por nga ana tjetër, e kanë lejuar edhe sepse nëpërmjet të tretës, krijojnë shigjetën e balancës që herë kalon nga njëri krah e herë nga krahu tjetër.
Nevoja e dy partive të mëdha për të tretën është edhe një nga mënyrat për ti shantazhuar dy partitë e mëdha kur tentojnë të lëvizin në rrjedha të pakontrolluara.
Së gjashti, sa herë shoqëria është lodhur nga 2 a 3 partitë e mëdha dhe pakënaqësia ka qenë e lartë deri në mundësi revolte, Ata, Shefat e Pluralizmit të Nexhmijes dhe Ramizit, apo siç i quajmë ne sot Klubi i Plaçkaxhinjve apo Rregjimi 3 Palësh PS – PD – PL (ish LSI), ia kanë dalë mrekullisht të krijojnë vetë nisma qytetare apo parti të reja e lëvizje politike për të shfryrë e vrarë pabesisht pakënaqësinë popullore.
Në 3e vite kemi parë të krijohen PAD, PDR, MJAFT, G99, AKZ, Sfida e Bojaxhiut apo LIBRA e Blushit, Nisma Thurje apo ndonjë parti tjetër të majtë si amalgamë investimi e Rregjimit 3 Palësh dhe George Sorosit.
Të gjitha këto janë nisma qytetare apo projekte politike “in vitro”, që i krijon vetë Sistemi, i krijon Klubi i Plaçkaxhinjve, vetë Rregjimi 3 Palësh PS – PD – PL.
Pluralizmi i bijëve dhe bijave të Ramizit dhe Nexhmijes apo siç i quajmë ne Klubi i Plaçkaxhinjve apo Rregjimi 3 Palësh PS – PD – PL, krijojnë vetë nisma të reja qytetare dhe politike sepse duan të ruajnë kontrollin.
Përndryshe, si do shpjegohej se sa here Klubi i Plaçkaxhinjve është në vështirësi, menjëherë sapo lind ndonjë përpjekje e dlirë dhe e pastër qytetare për të bërë një nismë qytetare apo projekt politik të ri, asnjë media nuk e sheh këtë.
Madje mediat e Klubit të Plaçkaxhinjve menjëherë sajojnë e bëjnë plan mediatik vetëm për “krijesat e reja in vitro” të lindura me porosi e grazhdim të bollshëm financiar nga Sistemi, Rregjimi 3 Palësh dhe George Soros.
Si shpjegohet, që kur lindi MJAFTi asnjë media nuk shihte e nuk jepte asnjë hapësirë apo lajm për asnjë nismë tjetër qytetare, por vetëm për MJAFTin flisnin të gjitha mediat e shkruanin të gjithë analistët?
Si shpjegohet që e njëjta mënyrë u përdor edhe kur MJAFTi u bë G99?
G99 ishte në çdo media, në çdo analizë, madje edhe në sondazhe e fusnin përdhunshëm dhe e pomponin me rezultate të paimagjinueshme.
Si shpjegohet që po njëlloj u veprua me AKZ – Aleanca KuqeZi e Kreshnik Spahiut?
Krijuan AKZ me porosi dhe çdo media pomponte vetëm AKZ.
Pastaj me porosi nxorrën Gjergj Bojaxhiun.
I krijuan edhe një parti me emrin SFIDA.
E çdo media, analist e sondazh vetëm pomponte Bojaxhiun dhe SFIDËN.
Si shpjegohet që po njëlloj ndodhi edhe me LIBRAn e Ben Blushit?
Si shpjegohet që po njëlloj, krejt njëlloj pompohet Nisma Thurje edhe ndonjë parti tjetër e majtë?
Në çdo media, analizë e madje edhe në Sondazhe të çuditshme përfshihet Nisma Thurje edhe ndonjë parti tjetër e majtë?
Nisma Thurje apo ndonjë parti tjetër e majtë janë disa personazhe që janë përdorur nga MJAFTi dikur, nga AKZ dhe nga LSI.
Shkurt dhe qartë, e vërteta është kjo:
Nën shembullin e Nexhmijes dhe Ramizit, këta të Klubit të Plaçkaxhinjve, krijojnë e pompojnë në media e grazhdojnë me shumë para, Nisma të reja qytetare dhe politike sepse duan të ruajnë e mbajnë kontrollin.
Sepse e dinë se psh, asnjë parti a nismë e krijuar, pompuar mediatikisht dhe grazhduar financiarisht nga vetë Klubi apo nga anëtarë të Klubit, nuk e rrezikon kurrësesi Klubin e Plaçkaxhinjve.
Sepse nëse psh, Nisma X, del në media e shkon sallë më sallë nëpër qytete me paratë e Klubit dhe i mbush sallat me furgonat me njerëz që ia çon Klubi, nuk ka sesi të bëhet alternativë rrezikuese ndaj Klubit.
Shikoni pak, është rast i rrallë në botë, por banal e i rëndomtë tek ne, kur Nismës X që bën sikur shan Klubin, i bëjnë like pothuajse të gjithë partizanët dhe aktivistët e partive të Klubit…
E pabesueshme dhe krejt e paimagjinueshme.
Por ja që ndodh.
Madje militantët dhe aktivistët e partive të Klubit e kanë shumë të qartë dhe e dinë kthjelltazi se mbushja e sallave të Nismës dhe bërja “like dhe share” nuk është fare në konflikt me partitë e tyre.
Është një megaindustri e rrejshmërisë që krijon dhe pompon këto Nisma sepse duan pak njerëz të vijojnë të ruajnë kontrollin.
Qëllimet janë të qarta:
Nisma të tilla të porositura nuk e dëmtojnë, madje e fuqizojnë dhe e rilegjitimojnë Sistemin e Klubit të Plaçkaxhinjve.
Nëse Klubi i Plaçkaxhinjve nuk ia hedh dot me Reformën në Drejtësi, NISMA kthehet në thurrjen e vazhdimësisë në duar të sigurta dhe të kontrolluara
Nëse Klubi i Plaçkaxhinjve ia del mban dhe e kalon me sukses testin e Reformës në Drejtësi, atëherë Nisma dështon, abortohet si Projekt i Ri politik, e kështu 2 apo 3 partitë e mëdha rikonfirmohen si të vetmet në fushë.
Ndërkohë Nisma, nën pompimin mediatik se ajo është E Reja që presin dhe duan shqiptarët për të çarë dhe thyer Sistemin, e kryen me zell misionin e saj shpërqëndrues.
Shqiptarët e mirë dhe të dlirë duke parë në media vetëm Nismën, nuk kuptojnë, nuk dinë e as kërkojnë për nisma e lëvizje realisht dhe dlirësisht të reja.
Por ndjekin në mirëbesim Nismën duke menduar e besuar mediat se aty është E Reja që po shpresonin…
Roli shpërqëndrues i Nismës është si thurrja e Gardhit të Sistemit të Klubit të Plaçkaxhinjve që qytetarët të mos mbështesin Projekte Gjenuine dhe të Ndershme të Reja.
Kështu Klubi i Plaçkaxhinjve ruan kontrollin e mbetet në Fuqi.
Së shtati, askush nuk ka pse të habitet e as pse të kërkojë moral nga politika e Klubit të Plaçkaxhinjve.
Tryeza 4 Polare për Reformën Zgjedhore, në vitin 2020 nuk habiti askënd asokohe
Kur nuk kanë qenë bashkë ata të 4 që u ulën me zulm të madh në atë Tryezën Monstrum Legal të Reformës Zgjedhore që solli mandatin e 3 të Edi Ramës në zgjedhjet e 25 prillit 2021?
Bashkë kanë qenë, janë e do të jenë
Thjesht, Reforma në Drejtësi është i vetmi Aktor i fortë në qytet që Ata nuk e kontrollojnë.
Prandaj u duhej e gjithë kjo Trajektore konfliktesh laboratorike, molotovësh emocionalë, djegie mandatesh, investimi për krijimin e Heronjve të Rrejshëm si Rudina me Thurrjen e ndonjë parti tjetër të majtë, pikërisht sepse Klubi i Plaçkaxhinjve duhej të negocionte me Perëndimin apo shantazhonte Perëndimin me thurrjen e re.
E kam thënë që asokohe se ajo Tryeza 4 Polare kishte 2 rreziqe e kurthe të mëdha për Shqipërinë.
1. Nëse Perëndimi e pranonte si fakt të mirëqenë 4 Polaritetin, pra të Vjetrën dhe të Renë (Rudina dhe Thurrja që janë 1) në Pakt, atëherë Shqipëria do të përfundonte me 3 të Majta dhe PDnë e Djathtë skilipece e të paqartë. Potencialisht 4 të majta, sepse PD është shumë e paqartë.
2. Nëse Perëndimi nuk do e legjitimonte 4 Polaritetin e djeshëm, këta do krijonin ZJARR dhe Flakë e hekur, luftë e konflikte të dakordësuara dhe dashuri të dakordësuara.
Shiheni pak tani …
Perëndimi është më i paqartë se kurrë…
Perëndimi e harroi Rudinën që iku nga Thurja tek Saliu ..
Perëndimi e harroi Myslym Murrizin që iku nga “Rrebelizmi i tij folklorik” në atë Parlamentin Gjysmak të para 25 prillit 2021, e sot është prapë tek Saliu…
Perëndimi po gabon sepse po e kërkon përsëri 4 Polaritetin tek Basha, Alibeaj e të tjerë që nesër do ti shohi përsëri në njërën nga Trinçetë e Rregjimit 3 Palësh…
Detyra ime është të them e shkruaj të vërtetën.
Koha do të dëshmojë nëse jam gabim apo kam të drejtë.
Por këto që kam thënë e shkruar këtu kam së paku disa vite që i them e shkruaj e ripërsëris papushim, e derj tani koha më ka dhënë të drejtë.
Këtu jemi e do të shohim.
Për mua e sipas meje, vetëm LRE është lëvizja e vetme gjenuine properendimore, proSHBA, proShqiptariste dhe pro Reformës në Drejtësi.
Koha do të na jetë dëshmitar.
Por duhet ti themi e shkruajmë gjërat sot që mos të na thonë nesër: Ku ishit ju e pse nuk folët???
Unë e pak si unë kemi vite që flasim e flasim r shkruajmë e shkruajmë papushim.
Koha do të flasë kur të vijë ora e të vërtetave të saj.
Advertisement