Kosova
Dita e 12/ Veriu i bllokuar, dëgjohen shpërthime
Sulmohen me gurë gazetarët në veri të Kosovës, shihen persona të maskuar afër barrikadave në Çabër
KOSOVË- Disa persona të maskuar kanë sulmuar sërish gazetarët që raportojnë në veri të Kosovës. Ata kanë hedhur gurë drejt tyre, teksa ndodheshin në afërsi të barrikadës qëështë vendosur në Çabër.
Për ditën e sotme ky është rasti i dytë që gazetarët që raportojnë sulmohen nga persona ende të paidentifikuar. Më herët u raportua se në Mitrovicën e Veriut u sulmuan lëndë plasëse. Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm. Incidenti ka ndodhur në prezencën e Policisë së Kosovës.
Situata në pjesën veriore të vendit është e tensionuar që nga fillimi i dhjetorit. Në atë pjesë të banuar me shumicë serbe deri tani janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
4 ORE ME PARE
‘Heqja e barrikadave mund të sjellë viktima’/ Ministri serb reagon pas deklaratave të Kurtit: Ka hallin e barrierave, jo të njerëzve
SERBI- Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Kurti i cili më herët tha se heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima. Sipas mediave lokale, Vuçeviç shprehet se atij nuk i interesojnë jetët njerëzore për heqjen e barrikadave dhe shtoi se një deklaratë e tillë është e rrezikshme sepse tregon se Kurti nuk heq dorë nga kryerja e terrorit ndaj serbëve, dhuna dhe arritjet.
“Kurti dëshiron të paraqesë se vetëm ato barriera janë problem, gjithçka tjetër është ideale, kështu që kur ta heqin, sado njerëz të vuajnë nga të dyja palët, pas kësaj gjithçka do të jetë ideale”, tha Vuçeviq.
Tensionet në veriu të Kosovës vazhdojnë. Sot është dita e 12 që nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tri komuna veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Policia e Kosovës ka mbyllur vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak. Sakaq në dy lagje janë dëgjuar shpërthime me shok-bomba, ku fatmirësisht nuk u raportua për të lënduar./ Dosja.al
5 ORE ME PARE
VIDEO/ Sërish sulme në Kosovë, hidhen lëndë plasëse ndaj një grupi gazetarësh
KOSOVË- Gazetarët e një redaksie lajmesh janë sulmuar mbrëmjen e kaluar në Mitrovicë të Veriut. Gazetari i tëvë1, Gojart Jashari, i cili po qëndron në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ka raportuar se është hedhur një lëndë plasëse në drejtim të tyre. Sipas tij, shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm teksa theksoi se në momentin e shpërthimit prezent kanë qenë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Shpërthimi ishte i fortë. Nuk kemi arritur të shohim ata që e gjuajtën, por në momentin e shpërthimit ishin afër edhe Policia. Nga ajo çka mund të shihnin ata ishin diku 5-6 persona të organizuar të cilët e hodhën mjetin e fortë shpërthyes”, tha gazetari Gojart Jashari.
Tutje ai tha se për fat të mirë nuk është lënduar askush.
6 ORE ME PARE
Policia e Kosovës punon me orare të zgjatura, Shefi i EULEX-it u vjen në ndihmë: Do të ketë furnizime me ushqime në Jarinë
KOSOVË- Situata paraqitet e tensionuar në veri. Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojnë me orar të zgjatur, pothuajse në të gjitha lagjet e veriut ku jetojnë komunitetet e përziera. Më herët u raportua se shumë prej tyre po shërbeheshin me ushqime nga banorët shqiptarë.
Në kushtet e vështira të punës, forcat policore të Kosovës kanë kërkuar furnizim me ushqime e veshmbathje në pikat kufitare të Jarinës. Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka njoftuar se ky mision do të kryhet së shpejti.
“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX-i më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Rudnicë/Jarinjë u ka dorëzuar furnizime esenciale, duke përfshirë ushqime, veshmbathje si dhe mjete higjienike”, shkroi përmes një postimi në Twitter.
Më herët u raportua se Policia e Kosovës ka njoftuar se ka 9 pjesëtarë të saj, janë transportuar nga pikat kufitare në veri të vendit për në jug të Kosovës falë bashkëpunimit me misionin e KFOR-it .
“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme Policia e Kosovës mban edhe me KFOR-in, të cilët sot kanë përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë, të cilët për shkaqe shëndetësore kronike janë transportuar nga veriu në jug”, ka thënë Baki Kelani.
Policët në veri të Kosovës sot hynë në ditën e 12 të bllokimit në pikat kufitare përtej barrikadave, kjo gjë ka ngritur shqetësimet e Sindikatës së Policëve dhe partive opozitare.