Connect with us

Kosova

Dita e 17 e barrikadave në veri të Kosovës

Në ditën e 17-të të barrikadave në veri të Kosovës raportohet se ekip i KFOR-it është sulmuar në Zubin-Potok gjatë mbrëmjes të kësaj të diele, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Lajmi bëhet i ditur nga media kosovare “Koha.net”. Sipas të njëjtës medie ushtarët e misionit paqeruajtës që raportohet të jenë sulmuar në Zubin Potok janë nga Letonia.

Megjithatë, policia e Kosovës thotë se nuk ka pasur shkëmbim zjarr në Zubin-Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Por mediat serbe “Kurir” dhe “Novosti” kanë publikuar një video të marrë nga rrjetet sociale, për të cilën pretendojnë se është regjistruar gjatë të shtënave, të cilat dyshohet se kanë ndodhur në Zubin-Potok gjatë kësaj mbrëmjeje. Në video dëgjohen shumë të shtëna radhazi.

Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës?
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Advertisement