Politike
Ditar fushate

Nga Lutfi Dervishi
1. Në zonën ku kandidon Ministri i Brendshëm, siguria është aq e lartë sa edhe vetë armët ndihen të mbrojtura. Një qytetar hyn me Skorpion në dorë në zyrën elektorale të një partie për të bërë atë që nuk e bën kushdo: sqarimin politik me breshëri.
2. Në Shkodër, PS-ja ka zbuluar skandalin e madh: një kandidat i opozitës ka guxuar të vishet me kostum! Dhe e kritikonte Bashkinë me kravatë në qafë! Shkelje e rëndë e etikës që kërkon përballje me pantallona treçerekëshe.
3. Në Elbasan, kandidatja e shumicës po merr masa ndaj një peme që kishte bërë krimin më të madh: i zinte dritën posterit “Shqipëria 2030”. Mbetet për t’u parë nëse edhe zogjtë që cicërojnë para sloganit do paditen për terror akustik.
4. Një kandidate, e cila ka vendosur të luftojë për “gallatë” dhe jo për mandat, vazhdon të prodhojë video që mbledhin më shumë klikime se vota. Me këtë ritëm, më 11 maj mund të shpallet Deputete e Gallatës dhe Ministre e Vetëtalljes Publike.

