Kosova
“Ditët e Agimit”/ Kurti: Trashëgimia ushtarake e Agim Ramadanit vazhdon të na befasojë

Nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” dhe me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, sot u mbajt manifestimi tradicional kushtuar heroit Agim Ramadani. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti e cilësoi Agim Ramadanin si një nga figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se dëshmorët nuk jetojnë në kujtesën tonë vetëm për rënien e tyre, por edhe për veprën e tyre të gjithanshme gjatë jetës.
“Agim Ramadani kishte një profil të jashtëzakonshëm – ishte strateg ushtarak, aktivist politik, poet, piktor dhe një frymëzues i madh. Vepra e tij vazhdon të na prekë përmes dorëshkrimeve, krijimeve artistike dhe angazhimit të tij të gjithanshëm,” tha Kurti.
Në tubimin qendror me titull “I këndojmë Agimit”, ai shtoi se manifestime të tilla ndihmojnë në ruajtjen e kujtimeve për dëshmorët dhe në përcjelljen e mesazhit të tyre tek brezat e rinj.
“Duke i kujtuar dëshmorët ashtu siç ishin në jetë, i mbajmë të gjalla kujtimet dhe shembullin që ata lanë pas. Ju përgëzoj për ruajtjen e kësaj tradite dhe ju uroj një mbrëmje të këndshme në këto ditë pranvere,” përfundoi ai.

