Kronike
“Djali s’më përgjigjej…”/ Flet nëna e një prej bashkëpunëtorëve të vrasjes së Erald Nevruzit: Geraldi e ka kërcënuar
Kostaqe Qose, nëna e Daniel Qoses, një prej punonjësve që ndihmuan Gerald Shehun të largonte trupin e Eraldo Nevruzit pasi e vrau, tregon se lajmin e mësoi nga televizioni
Ajo rrëfeu çastet kur përpiqej të kontaktonte të birin, por nuk i hapte celularin, derisa pa foton e tij në lajme.
“Dëgjova nga TV në mëngjes që ishte bërë një vrasje, nuk e dija që kishte ndodhur në lokalin ku punonte djali, i rashë telefonit dhe nuk më përgjigjej, e shikoja në linjë i rashë sërish, por ma mbylli. Mora vajzën në Gjermani dhe e pyeta si e ka emrin lokali ku punon djali? Më duket se Greccia më tha. Pyesim një shok në Dhërmi, ai më tha mos ki merak se do të shkoj unë. Gjetëm numrin më pas, i thamë interesohemi për një djalë që është ai staf. Na thanë, janë arrestuar, po i marrin në pyetje, por nuk mund t’ju japim sqarim. Në orën 10:00, pashë në lajme foton e djalit. Djali ka ikur që në 6 prill, ka 5 vite që punon aty, tek i njëjti pronar dhe nuk ka patur probleme më herët”.
Ajo është e bindur se djali ka ndihmuar autorin vetëm sepse ky i fundit i ka kërcënuar me armë dhe Danieli nuk kishte rrugë tjetër.
“Siç thonë edhe në lajme, ai i ka kërcënuar dhe i kanë dhënë qese kuzhine, e kanë ndihmuar në makinë se i ka kërcënuar me armë. Është nisur burri me çupën andej se morën një avokat dhe nesër kanë gjyqin. Danieli nuk e njihte se aq ditë ishte në punë, por ky pronari njihej me të që në Angli, kanë bërë sherre. Nuk kemi mundësi për ta ndjekur, djali mori rrugët për të punuar. Vetëm djali na punon edhe këtu në Korçë ka punuar banakier në lokale, ndërsa atje ka punuar banakier, e fuste pronari edhe te piceria. Djali nuk ka pasur më herët shqetësime nga pronar”.