Bota
Djegia e Kuran-it në Suedi, Turqia: Dënojmë aksin e neveritshëm
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka reaguar ashpër me postimin e tij në Twitter, ndaj djegies së Kuranit nga protestuesit para një xhamie në Suedi. Policia suedeze dha sot lejen për një tubim të vogël para xhamisë më të madhe të Stokholmit, gjatë së cilës organizatori i saj kishte njoftuar se do të digjte një kopje të Kuranit, në ditën e parë të festës së madhe myslimane të Kurban Bajramit.
Në mesazhin e tij Hakan Fidan shprehet: Dënoj aktin e neveritshëm në Suedi kundër Librit tonë të Shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në ditën e parë të festës së Kurban Bajramit. Është e papranueshme të lejohen këto akte anti-islame nën maskën e lirisë së shprehjes. Kushdo që mbyll një sy ndaj akteve të tilla të neveritshme është bashkëpunëtor.
Pas reagimit të ministrit të Jashtëm turk, pasuan zyrtarë të tjerë.
“Dënoj aktin e urryer kundër Librit tonë të Shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në ditën e parë të Festës së Sakrificës, në Suedi. Akte të tilla të neveritshme islamofobike, të kryera nën maskën e lirisë së mendimit dhe shprehjes nuk janë kurrë të pranueshme. Dënoj të gjithë individët dhe institucionet që i lejojnë ta bëjnë këtë”, tha këshilltari diplomatik i Recep Tayyip Erdogan, Akif Çagatay Kiliç.